14.5 C
Tirana

“Balla fton opozitën në bashkëpunim, kërkon nga SPAK zbatimin e vendimit të GJEDNJ-së për 21 Janarin”

Më datë:

 Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në mbledhjen e parë të grupit për vitin 2026 theksoi se prioriteti strategjik i mazhorancës është mbyllja e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE deri në fund të vitit 2027 dhe finalizimi i procesit të anëtarësimit deri në vitin 2030, duke kërkuar angazhim maksimal të deputetëve në miratimin e ligjeve të integrimit dhe rritjen e disiplinës parlamentare.

Balla tha se kjo forcë politike, Qeveria dhe grupi parlamentar e nisin këtë sesion parlamentar me detyra dhe objektiva që nuk kanë qenë kurrë më të qarta. Sipas Ballës, këto objektiva janë sot dhe për çdo ditë në 40 muajt në vijim deri kur mes pranverës së vitit 2029 t’i kërkohet popullit shqiptar vota për mandatin e pestë qeverisës bashkë me Kryeministrin Edi Rama.

“Gjatë kësaj kohe, tre janë objektivat dhe sfidat tona për Shqipërinë 2030. E para, të mbyllim negociatat për anëtarësim në BE në fund të vitit 2027, e dyta, të mundësojmë ratifikimin në 27 vendet anëtarë të Këshillit Evropian për anëtarësim e Shqipërisë në BE gjatë vitit 2028, mundësisht para zgjedhjeve për Parlamentin Evropian në maj 2029 dhe e treta, ta kemi ngritur deri 28 nëntor 2030 flamurin kuqezi në oborrin e familjes evropiane”, tha Balla.

Balla nënvizoi se këto janë tri objektiva të qarta që do të vijojnë edhe në diskutimet e takimit të sotëm të zgjeruar, por në ditët që do të vijnë, kreu i Grupit Parlamentar të PS shtoi se agjenda evropiane numërohet me ditë.

“Shpresoj që kjo do i bëjë ata të tjerët, në atë pjesë që u ka mbetur në krahun e djathtë të sallës së Kuvendit, që të kuptojnë qartë se nuk kemi asnjë ditë për të humbur. Në kuadër të këtyre objektivave, sot po përcaktojmë në këtë mbledhje të zgjeruar pune dhe kalendarin politik në detyrat që na takon në përmbushje të këtyre tri objektivave”, vijoi ai.

Balla i bëri thirrje opozitës të mos humbasë kohë kot me thirrje dhe përbetime revolucionesh që nuk kanë për të ndodhur kurrë.

“Mos humbisni kohë kot as me “shtrimin e tapetit” të alibisë për humbjen e radhës.
Jemi të gatshëm të bashkëpunojmë me ata për çështje të rëndësishme, për t’i dhënë Shqipërisë një Kod të ri Zgjedhor sipas standardeve më të mira zgjedhore, ndarje administrative-territoriale funksionale dhe gjithçka tjetër”, u shpreh ai.

“Por ata duhet ta fiksojnë mirë në mendje: vëmendja jonë është te Pasaporta Europiane për çdo qytetar shqiptar, brenda kësaj dekade. Ne e dimë që rezultatin zgjedhor apo fitoren nuk e vendos asgjë tjetër, përveç vullnetit të zgjedhësve. Të jesh në opozitë do të thotë të bësh pjesë në një institucion serioz”, theksoi kreu i grupit parlamentar.

Balla theksoi se për shkak të numrit të madh të ligjeve që lidhen me procesin e përafrimit të legjislacionit shqiptar me BE apo përmbushjen e kushteve për anëtarësim, të gjithë duhet të jenë të përgatitur për ditë shumë të gjata pune qoftë në komisione, qoftë në Parlament.

Gjithashtu, në fjalën e tij Balla kërkoi që SPAK të zbatojë vendimin e GJEDNJ-së për ngjarjen e “21 janarit”.

“Të mërkurën e ardhshme bëhen 15 vite nga tragjedia dhe krimi shtetëror i 21 Janarit, ndërsa presim nga drejtësia, veçanërisht nga Prokuroria e Posaçme, zbatimin e vendimeve të GJEDNJ-së dhe Gjykatës së Lartë të Republikës së Shqipërisë, lidhur me plot aspekte të asaj ngjarjeje kriminale. Ne nuk kemi hyrë asnjëherë në meritën apo përmbajtjen e dosjeve penale, por Kuvendi i Shqipërisë ka përgjegjësi në kontrollin e zbatimit të vendimeve të GJEDNJ-së bashkë me Ministrinë e Drejtësisë siç na e kujtoi Njazi Jaho”, theksoi Balla.

Po ashtu, sipas Ballës, nga e hëna, 19 janar, dita e parë e këtij sesioni të dytë të legjislaturëse së 11-të , deri në të enjten e fundit të korrikut 2026, duhet të fillojë dhe të mbarojë diskutimi dhe miratimi i Ligjit organik për funksionimin dhe organizimin e Kuvendit.

Shpërndarje

spot_imgspot_img

Më të fundit

Më shumë si kjo
Të ngjashme

Hyn në fuqi: Paga minimale në Kosovë 425 euro në janar dhe 500 euro në korrik

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar vendimin për...

Trahaniku i Ngrohtë

Një recetë shumë e vjetër autentike por shije plotë...

VanHorn: Do ndjekim prioritetet e Trump në Shqipëri, forcim të SPAK dhe BKH-së

E ngarkuara me punë e Shteteve të Bashkuara të...

“Policia arreston 26-vjeçarin pas aksidentit në Durrës, i drejtonte automjetin në gjendje të dehur”

Aksidenti tragjik në Durrës, në pranga 26-vjeçari. Policia: Drejtonte...