Autobusët elektrikë, Veliaj: Gati propozimi për Këshillin Bashkiak

Teksa më herët kreu i bashkisë së Tiranës deklaroi se brenda vitit autobusët elektrikë do të nisin nga puna, ai bëri të ditur së fundmi se është përgatitur propozimi për Këshillin bashkiak për linjën e parë.

“Kemi përgatitur një propozim për Këshillin Bashkiak për linjën e parë të autobusëve elektrikë. Do të miratojmë një linjë të re dhe do t’ju themi: “Kush sjell autobusë elektrikë, e merr menjëherë linjën”. Unë besoj që duke incentivuar, jo vetëm me shkurtim burokracie, që e kanë le të themi mjetet me diesel, por edhe duke vënë disa incentiva të tjera që nesër mund të përkthehen në më pak tvsh, më pak doganë, apo çmime të reduktuara të atyre që furnizojnë mjetet e transportit me energji elektrike”, nënvizoi Veliaj.

Gjithashtu, të gjitha ata që sjellin në kryeqytet taksi elektrike pajisen me licencë brenda 24 orëve.

“Një nga gjërat që po bëjmë në Tiranë është inkurajimi i një transporti shumë herë më të dobishëm dhe të pastër. Sot kemi 3 kompani taksish që janë 100 për qind elektrike dhe karikohen nga rrjeti i OSHEE. Sot në Bashkinë e Tiranës, nëse një prej jush vjen dhe kërkon licencë për taksi 100 për qind elektrike, e merr licencën për 24 orë. Pse po e bëjmë këtë, pikërisht për të inkurajuar dikë që do të futet në treg me një transport më të pastër”, deklaroi ai.

Ndërkohë Bashkia e Tiranës sëbashku me BERZH po hartojnë Green City Action Plan, një plan të zbatueshëm dhe të financueshëm veprimi për zhvillimin e qëndrueshëm të Tiranës. Veliaj deklaroi se Tirana është shumë herë më e pastër se sa tre vite më parë, ndërsa theksoi se në kryeqytet pastrimi bëhet 3 herë në ditë.

Veliaj vlerësoi e dhe nismën për reduktimin e qeseve në kryeqytet që kanë sjellë ulje të nivelit të ndotjes. “Vetëm nga ky udhëzim që ne kemi në Bashkinë e Tiranës dhe marrëveshjen me supermarketet dhe dyqanet e bukës ka rënë përdorimi i qeseve në Tiranë me 60%, në disa raste edhe më shumë, pro mesatarja e këtij viti, 2017 është 60%. Nëse bie 60% konsumi dhe përdorimi i qeseve nga supermarketet, bie me 60% edhe numri proporcional i atyre që i hedhin këto qese në rrugë. E patë tek përmbytjet e Tiranës, në fakt kontributi kryesor nuk ishin kolegët e mi sepse ata bënë një punë fantastike për pastrimin e të gjithë pikave të nxehta gjatë verës që të na gjente dimri gati, por në fakt ishte rënia e numrit të qeseve”, tha Veliaj./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi