Artisti serb Vuçiçit: E ke të pamundur ta mohosh pavarësinë e Kosovës

Regjisori dhe artisti nga Beogradi Çedomir Petroviq në një shkrim për gazetën “danas”, e ka akuzuar rëndë kryetarin e Serbisë për marrëdhëniet aktuale me Kosovën dhe për raportet e përkeqësuara të Beogradit me të gjitha vendet e dala nga ish – Jugosllavia.

Pasi ka përkujtuar krimet që Serbia i ka bërë në Kosovë, varrezat masive të shqiptarëve të gjetura pranë stacioneve policore, ka thënë se njohja e pavarësisë së Kosovës është e paevitueshme nga Serbia.

“Një numër i madh policësh që kanë marrë pjesë në aksionet kundër shqiptarëve të Kosovës, në Serbi ende konsiderohen heronj të luftës. Hetimet në Serbi ecin ngadalë sepse disa nga ekzekutorët e veprave penale janë ende në radhë të policisë”, ka shkruar ai.

Koha.net e sjell në tërësi shkrimin e tij

A thua në kohët e krimeve që i kemi bërë në Kosovë, kishim larguar dallimin dhe kemi bërë ata të cilët gjatë Luftës së Dytë Botërore vrisnin 50 veta nga njerëzit tanë për një gjerman të plagosur dhe 100 të vrarë për një pushtues të vrarë.

Dallimi është se Gjermania menjëherë pas përfundimit të luftës është distancuar nga të gjitha krimet e veta, i ka pranuar ato, ka paguar dëmshpërblim, ka kërkuar falje, ndërsa ne pas shpërbërjes së Jugosllavisë u sulëm në luftërat dëshpëruese për mbajtjen e të pamundshmes.

Nisja drejt krimeve

U nisëm drejt krimeve që na sollën aty sa që tash të mos e kemi askënd rreth vetes, as me veten. Dhe vetë po e lëmë e veten. Disa thyerje e pastrime duhet të ndodhin në kokën tonë. Duhet ta rrëfejmë rrëfimin e tmerrshëm për ne. Ai është shumë më i rëndësishëm se sa vitet e humbura dhe ndërmjetësimet e dështuar në Bruksel.

Me këmbëngulje u përpoqëm që gjitha atë të mirë që na e lanë amanet paraardhësit, ta shkatërrojmë dhe në vend të popullit të dashur e të çmuar në botë, të bëhemi sinonim për shkatërrim e vrasje.

Tash s’është rëndësishme nëse populli e kupton ose nuk dëshiron ta kuptojë të vërtetën për veten . Tash më e rëndësishmja është ta rrëfejmë rrëfimin për atë pjesë të vogël të popullit, i cili ka edhe pak kohë ta ndryshojë e ta rrëfejë, jo në kishë, sepse faji tij në këtë rrëfim është i madh, por para vetes dhe para atyre ndaj të cilëve kemi bërë krime të tmerrshme dhe gjenocid.

Gjithmonë kemi qenë në kërkim të një diçkaje të humbur e edhe tash kur zotërojnë robotët dhe fluturaket zbresin në Mars, ne thirremi në ca kohë të shkuara dhe vëmë kapelat ushtarake të vojvodëve tanë të ndershëm serbë në kokat e kriminelëve që bëhen heronj të popullit e të shtetit, mendja fillon të na turbullohet, shohim ëndërr syhapur e na zgjohen ca gjene që kaherë është dashur të jenë të vdekur ose të futur diku thellë nën ndërdije për t’i pritur vetëm një zë e një klithmë: Të gjithë serbët në një shtet … Dhe të fillojë çmenduria e të bëhemi bisha.

Juve, zotëri Vuçiq, në zgjedhjet e ardhshme kjo opozitë nuk mund t’iu mundë. Por ekziston mundësia që veten tuaj ta mundni që është pafajshëm më e rëndë .

Populli nuk e do Vuçiqin

Populli ju ka zgjedhur, por jo edhe ata përreth jush, të cilët vetë i keni zgjedhur dhe të cilët do të ndikojnë mjaft në disfatën tuaj. Po i mbani me këmbënguljen vendet nga ku po shkatërrojnë çdo gjë, janë bërë të urryer e irritues. Artisti kryesor, po deshi që shfaqja të jetë e mirë, përreth vetes duhet të katër artistë që të paktën janë të barabartë me të. Ju iu keni frikuar kësaj, keni statistë në rolet kryesore dhe për këtë arsye shfaqja doli e keqe.

Ju jeni me tërë forcën kundër vullnetit dhe bindjes suaj, jeni përpjekur të ndryshoni, por nuk ia keni dalë. Ndërdymja në ju, ndërmjet asaj që e dini se ç’është mirë të bëni për popullin tuaja dhe asaj që kurrë nuk do të mund ta bëni, është e vështirë edhe për arsyen se bie ndesh me bindjet dhe idetë tua, ajo u sjell në situatën që të mos mund të funksiononi drejt.

Kurrë nuk keni thënë se keni gabuar, e këtë populli nuk e do. I do ata që i ka afër e jo ata që gabojnë shpesh. Po silleni me prepotencë ndaj disa gazetarëve që nuk janë rreth jush dhe u bëjnë pyetje të vështira e të pa përgjigje nga ju. Ky është tamam profesionalizëm dhe nuk bën të ketë dallime ndërmjet përfaqësuesve të medieve. Unë kam njohur artisët që nuk kanë folur tridhjetë vjet, ndërsa në shfaqje kanë udhëhequr dialogë dhe kanë qenë të shkëlqyeshëm në ato skena.

Jeni tepër shumë të pranishëm në publik. Populli nuk ka dëshirë të pyesë më: Ku është Vuçiqi ? Ç’u bë me të? Ka një kohë që s’është, por thotë: Ama deri kur ky Vuçiq? Është bërë i mërzitshëm për Zotin dhe për robin.

Nuk ka temë ku ju s’e keni mendimin tuaj. E shpenzoni forcën në përmbajtje të panevojshme dhe çdo ditë qëroni hesape me opozitën dhe përfaqësuesit e medieve.

Po bëheni, si themi ne: Piper në çdo çorbë.

Në fjalimet tua janë të pranishme shumë përqindje, numra, emra fshatrash e qytetesh, gjatësi rrugësh, mbledhje, zbritje, premtime, krahasime me të tjerët …Populli e do më shumë fjalimin rëndomtë, atë të kuptueshmin.

Kur erdhët në pushtet, nuk gjetët asnjë të mirë. Trashëguat krime të mëdha që i bënë pjesëtarët e populli tonë e të cilat assesi nuk deshët t’i pranoni e të kërkoni falje për to.

Krime të tmerrshme ndaj popullit shqiptar

Krime të tmerrshme në luftërat ballkanike para dhe pas Luftës së Dytë Botërore kemi bërë ndaj popullit shqiptar.

Forcat ushtarake e policore serbe gjatë viteve 1998 dhe 1999 kanë bërë shkatërrime të mëdha,masakra, djegie, helmime bunarësh, përdhunime, plaçkitje, vrasje civilësh …

Ushtria dhe policia e RFJ-së atëhershme, me udhëheqje të kreut shtetëror, kanë dëbuar nga Kosova mbi 700 mijë shqiptarët Kosovës.

Millosheviq ka urdhërua që të gjitha kufomat në Kosovë, që mund të ishin në interes të Tribunalit të Hagës, të mënjanohen.

Në furrat e Trepçës u dogjën më shumë se 1.500 kufoma.

Dolën nga Danubi ftohtë frigoriferët me gra e fëmijë shqiptarë. Varreza masive në poligonet e policisë nëpër gjithë Serbinë.

Në vend e qitjen me armë të policisë në Batajnicë te Beogradit u gjetën trupat e 980 shqiptarëve e shqiptareve të vrara.

Deri në vitin 2008, janë gjetur rreth 800 mbetje mortore të shqiptarëve të vrarë të varrosur në varrezat masive në Serbi, janë ekshumuar dhe u janë kthyer familjeve.

Në varrezat e Rudnicës dhe te Rashka rreth 250 trupa të shqiptarëve të Kosovës.

Në vitin 1998, në Prekaz, në rajonin e Drenicës, forca të mëdha ushtarake e policore serbe , të armatosura me tanke, autoblinda e artileri, rrethuan shtëpinë e familjes Jashari dhe tri ditë e tri net kanë shtënë, pa bërë dallime, edhe në gra e fëmijë dhe civilë të tjerë. Helikopterët dhe automjetet ushtarake kanë lëshuar breshëri rafalësh nëpër kulme e pastaj forcat policore kanë hyrë në fshat duke shtënë nëpër shtëpi.

Forcat serbe të sigurisë me ndihmën e ushtrisë serbe likuiduan 56 anëtarë të familjes Jashari . Në mesin e tyre edhe 18 gra e 10 fëmijë. Aty u bë gjenocid ndaj një familjeje.

Rreth 10 mijë shqiptarë e shqiptare të Kosovës janë vrarë gjatë atyre tre muajve të çmendur të vitit 1999.

Çdo kafshë dhe çdo njeri në këtë botë të trishtë ka të drejtë të mbrohet kur sulmohet. Sikur dhe populli i çdo vendi.

Shqiptarët kanë qenë ithtarë të politikës paqësore, jo të dhunës, pas kësaj ata filluan rezistencën e armatosur.

Duhet nënshkruar marrëveshjen me Kosovën

Një numër i madh policësh që kanë marrë pjesë në aksionet kundër shqiptarëve të Kosovës, në Serbi ende konsiderohen heronj të luftës. Hetimet në Serbi ecin ngadalë sepse disa nga ekzekutorët e veprave penale janë ende në radhë të policisë.

Ka ende krime, ose ndoshta edhe këta mjaftojnë që të nënshkruhet ajo marrëveshje juridike e detyrueshme e shkërdhyer.

Ndoshta të gjitha krimet që serbët i kanë bërë në Kosovë serbët i kanë bërë në Kosovë ndaj shqiptarëve mund të “paguhen” me njohjen e pavarësisë së saj? Ndoshta ky është çmimi më i lirë për ne?

Dhe duhet të rrëfehet rrëfimi, i vërteti, për krimet që s’ merren me mend të një populli ndaj tjetrit.

Nuk do të mbeteni në kujtesë të mirë as për pensionistët. Ua keni zvogëluar pensionet që i kanë pritur tërë jetën dhe që është i vetmi që e kanë. Ata nuk do ta pranonin këtë, por nuk kanë pasur kujt t’i ankohen dhe u bënë heronj me zor dhe i ndihmuan shumë Serbisë ta kalojë krizën e madhe. Kanë qenë dega më e zhvilluar ekonomike e atyre viteve në shtet.

I keni frikësuar me opsionet e luftës në tavolinë. Kosovën, Kroacinë, B e H-në . I frikëson gjithnjë ai flamurtari pa sens nga Repulbiak Serbe. Njerëzit janë në frikë. Pleq e të sëmurë…

Besimi im te ju ka qenë pasojë e dëshirës së vrarë që pas aq kaq vitesh me ndryshimin tim do të ndryshojë edhe Serbia.

Na keni mashtruar dhe na keni zhgënjyer . Kemi humbur pa kthim shumë vite, falë politikës suaj gjunjëzuese e të gabuar duke u mbështetur në zvarritje kohe, e cila assesi nuk ka punuar për ne.

Shumë nga Evropa kanë dashur të na ndihmojnë, Gjermania e sidomos kancelarja e saj Angela Merkel, por i keni humbur të gjitha, me qasjen e papërgjegjshme në negociata, të cilat, nëse i keni kuptuar, nga fillimi kanë qenë të organizuar vetëm për shkakun që të njihet pavarësia Kosovës. Sërish mbetëm të vetmuar dhe tjetërsuar nga vetja jonë.

Keni deklaruar: E, tash duhet prisni pak kur sërish do të shkoj në Bruksel?! Ky nuk është nivel i një kryetari të Republikës, të cilitdo vend, e as i tonit.

Mbetet që vetëm të jepni dorëheqje nga vendi i presidentit të Republikës së Serbisë. Kjo është më vogla që m und ta bëni. E dini se opozita është e dobët dhe përçarë dhe aktualisht nuk ka kush të vijë në vendin tënd.

Shesheli ka ndikim të madh te Vuçiqi

The King is dead, long live the King! Mbreti vdiq, rroftë mbreti. Kanë klithur anglezët. Te ne kjo i bie: Vdiq Vuçiqi, rroftë Vuçiqi

Dorëheqja nuk do të miratohet dhe ju do të vazhdoni sundimin tuaj. Pas gjithë këtyre, është e pamundur të ktheni atë besim që e keni pasur në popull. Si do t’ua sqaroni britmat tuaja: Kosovën kurrë nuk do ta njoh?

Nuk ua them se do ta njihni Kosovën . Kjo është e vetmja gjë e mundshme . Kritikën ua bëra për vitet e çmueshme që i humbëm. E çdo gjë dihej që nga herët.

Janë të thella rrënjët radikale të ndikimit të Sheshelit e NIkoliqit te ju . Te ju gjenden ide e qëndrime që vetëm ju i mendoni të mundshme e që janë të këqija për Serbinë e që assesi nuk mund të pranohen në botë.

Kemi arritur në atë gjendje sa që shtetet përreth nesh, ma ato që dikur kemi jetuar bashkë, po bashkohen kundër nesh, vetëm për ta ruajtur veten nga ne .

Kemi humbu arsyen dhe vetëm vringëllojmë dhe godasim me shpatë rreth vetes, duke mos parë se kë mundemi , pos vetes, ta lëndojmë.

Po lejoni nënçmimin dhe turpin e madh për Serbinë, në të cilën një figurë po shkon nëpër vende të vogla e pa kurrë ndikimi për t’i lutur që të tërhiqet njoha e Kosovës. As ata e dinë ku është Kosova e Serbia dhe as ne dimë kush janë ata.

Ju jeni i mençur dhe e dini se çfarë do të thotë kur në këtë moment të vështirë për ne, BE hap kapitullin për statistikë?! Kjo është një lamtumirë e rafinuar me ne dhe me shumë që kanë dëshiruar që Serbia të bëhet anëtare e BE-së. Kush është fajtor për këtë, ju më së miri e dini.

Rrëfimi duhet treguar në fund. kësaj here i vërtiti. Koha po ikën pa kthim …

Nuk mund të mbesim ushtarakisht neutralë, si thoni ju zoti Vuçiq. Të gjitha shtet në rrethin tonë janë ose do të bëhen anëtarë të Aleancës veriatlantike.

Ne prapë jemi vetëm, sikur të kemi defekte dhe ndaj i frikësohemi shoqërisë sonë.

Serbia është si kërcell misri në lendinë, pa tramakë. Edhe era më e vogël do të na thyejë, do ta shkatërrojë shtalbin dhe do të mbete vetëm talla dhe asgjë.

(Autori është regjisor dhe aktor serb. Shkrimi me titullin “Si më tradhtoi besimi te Vuçiqi” është marrë nga gazeta “danas”. Titulli dhe mes titujt janë të redaksisë )

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi