Arsenal armësh dhe kokainë, finalizohen dy operacione policore

Policia e Shtetit njofton arrestimin e 2 shtetasve në kuadër të operacionit policor “Tempulli 2”. Sipas njoftimit të Policisë, në Elbasan u arrestua në flagrancë një 49-vjeçar, të cilit iu gjet lëndë narkotike e llojit kokainë.

“Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës policore të siguruar në vijim të megaoperacionit antidrogë të koduar “Tempulli 2”, për një rast të shitjes në doza të kokainës, shërbimet operacionale dhe ato për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan kapën në flagrancë dhe arrestuan autorin e dyshuar të rastit, shtetasin A. U., 49 vjeç, banues në fshatin Tregan.

Nga kontrollet në automjetin dhe në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën sasi të lëndës narkotike kokainë, të ndarë në qindra doza, me qëllim shitjen. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”, njofton Policia.

Ndërkohë në Mat është kapur 21-vjeçari, të cilit iu gjet një arsenal armësh.

“Strukturat hetimore dhe operacionale të DVP Dibër, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Mat, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Weapons”, për goditjen e një tjetër rasti në këtë fushë”, njofton Policia.

“Si rezultat i informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një 21-vjeçar që posedonte pa leje, në banesën e tij, armë zjarri dhe municion luftarak, shërbimet e Policisë kanë ndërhyrë menjëherë në këtë banesë dhe si rezultat kanë gjetur të fshehura: 1 kallashnikov, 3 armë gjuetie, 1 armë zjarri pistoletë, 114 fishekë dhe 2 kapuçë në formë maske, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.  Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u kap në flagrancë dhe u vu në pranga shtetasi R. R., 21 vjeç, banues në fshatin Karicë, njësia administrative Baz”, vijon Policia.

“Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për babain e 21-vjeçarit, shtetasin H. R., 56 vjeç.  Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, të Juridiksionit të Përgjithshëm Dibër, për veprime të mëtejshme”, përfundon njoftimi i Policisë së Shtetit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi