Apeli i GJKKO lë në fuqi vendimin për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja

Apeli i GJKKO ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese Bashkim Dedja.

SPAK kishte kërkuar 1 vit burg për ish-kreun e Gjykatës Kushtetuese nën akuzën për fshehje të pasurisë, por GJKKO vendosi dënimin e tij me shërbim prove.

Sipas Prokurorisë, ish-numri një i Kushtetueses, ka fshehur në deklarime një apartament të ndodhur në kompleksin “Ormars” në Golem.

Gjithashtu ai ka bërë deklarim të rremë të burimit të krijimit të apartamentit në Tiranë me sipërfaqe 146 m2, lidhur me një hua të marrë nga kunati i tij. Për 10 mijë euro të marra hua nga Bashkim Dedja sipas SPAK, nuk justifikohen nga personi që ia ka dhënë.

Akuzat ishin hedhur poshtë më parë nga ish-kreu i SPAK i cili deklaroi se huan prej 10 mijë eurosh e ka marrë nga kunati, i cili ka punuar në emigrim dhe nuk i ka deklaruar të ardhurat nga emigracioni.

Ndërkohë në lidhje me apartamentin në Tiranë, Dedja deklaroi se e kishte marrë me kredi, që do të duhet ende ta paguante.

“Sa i takon huas 10 mijë euro, janë të kunatit dhe ka punuar në emigrim dhe janë të deklaruar të ardhurat nga emigracioni. Sa i takon apartamentit në Tiranë kam marrë kredi për të, dhe do paguaj deri në vitin 2023”, është shprehur Deda.

KOMUNIKIM PËR MEDIAN

Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Saida Dollani (kryesuese), Nertina Kosova (anëtare) dhe Miliana Muça (anëtare), sot më datë 13.02.2024, shpalli vendimin lidhur me çështjen e regjistruar me nr. 6/63 akti, datë 06.12.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri Bashkim Dedja, kundër vendimit nr. 43, datë 26.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, që ka vendosur:

1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Bashkim Dedja, për kryerjen e veprës penale “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i dytë i K.Penal dhe në bazë të kësaj dispozite, dënimin e tij me 6 (gjashtë) muaj burgim.
2. Në aplikim të nenit 59 të Kodit Penal pezullimin e ekzekutimit të vendimit me burgim për të pandehurin B.D., për një periudhë kohore prej 1 (një) vit, me kusht që gjatë kohës së provës i pandehuri të mbajë kontakte me shërbimin e provës të vendbanimit të tij, si dhe të mos kryejë vepër penale tjetër.
3. Në mbështetje të neneve 393 dhe 485/3 të K.Pr.Penale shpenzimet gjyqësore sipas formularit bashkëlidhur të paguhen nga i pandehuri…

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 43, datë 26.06.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi