Al-Azhar: Planet e SHBA-ve mbi Jerusalemin kërcënojnë paqen në botë

Universiteti me renome në botën islame sunite, Al-Azhar, ka paralajmëruar kundër planeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për zhvendosjen e ambasadës në Jerusalem, dhe njohjen zyrtare të qytetit të shenjtë për kryeqytet të Izraelit.

Në një kumtesë të publikuar të martën, insitucioni i lartë me seli në Kajro, tha se një vendim i tillë eventual do të paraqesë “kërcënim për paqen në botë”.

“Një veprim i tillë do të shtojë zemërimin në mesin e muslimanëve, do të kërcënojë paqen në botë dhe do të thellojë tensionet, ndasitë dhe urrejtjen në botë”, paralajmëron Al-Azhar.

Institucioni prestigjioz nënvizon identitetin arab të Jerusalemit, duke u bërë thirrje vendeve arabe dhe muslimane të parandalojnë një veprim të mundshëm amerikan.

Ditë më parë, mediat amerikane thanë se presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, është duke marrë në konsideratë njohjen e Jerusalemit për kryeqytet të Izraelit.

Gjatë fushatës parazgjedhore, Trump, kishte premtuar zhvendosjen e ambasadës nga Tel Avivi në Jerusalem. Jerusalemi mbetet thelbi i konfliktit izraelito-palestinez, në të cilin palestinezët këmbëngulin që Jerusalemi Lindor të jetë kryeqyteti i shtetit të ardhshëm palestinez./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi