Gjykata ka lënë në masën e sigurisë arrest me burg Aleksandër Krrashin, shoferin e betonieres ku dy ditë më parë u përplasën për vdekje 4 të rinj.
Ngjarja ndodhi në Fushë Prezë.
“U përpoqa në maksimum t’i ndihmoj, dera e makinës nuk u hapte. Lajmërova dhe një koleg të një betoniere tjetër të vinte për të më ndihmuar me shuarjen e zjarrit”, tha Krrashi para togave të zeza.
Masë sigurie është lënë edhe për kushëririn e tij, Valentin Krrashi.
Ndërsa menaxheri i firmës së prodhimit të betonit, Danjel Koxha është lënë në detyrim paraqitje.
Ky i fundit dyshohet për “Shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”, “Punësim i paligjshëm” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Aksidenti tragjik që i mori jetën 4 të rinjve
25-vjeçari Enejdi Laçi që drejtonte mjetin, vëllai i tij Erildi Laçi 20 vjeç, kushëriri i tyre Andi Laçi 22 vjeç dhe shoku Enrikejd Kurti 24 vjeç u dogjën brenda makinës tip “Benz” që shpërtheu në flakë pas përplasjes me betonieren.
Hetuesit kanë dalë në përfundimin paraprak se ata po udhëtonin me mbi 170 kilometra në orë në momentin e aksidentit. Shoferi Aleksandër Krrashi ka deklaruar se kishte ndaluar mjetin pasi i kishte mbaruar karburanti.
Ai ka treguar se ishte duke ikur të furnizohej në një pikë karburanti që ndodhet pranë vendit të ngjarjes, por sipas tij kishte harruar të ndizte bllokazhin që sinjalizon ndalimin e mjetit.
Por dëshmia e tij është kontradiktore pasi fillimisht u deklaruar se ishte në lëvizje kur makina tip “Benz” e goditi nga pas.
Pas aksidentit u largua nga vendngjarja për t’u dorëzuar pak orë më vonë në policinë e Kamzës.
Kushëriri i tij, Valentin Krrashi u vu në pranga pasi dyshohet se e ndihmoi të largohej nga vendi i aksidentit.
Nga ana tjetër, është shpallur në kërkim edhe administratori i firmës së betonieres.