Abuzimet me pronat, arrest me burg për 20 ish-punonjës të Kadastrës Durrës, për 6 detyrim paraqitje

Gjykata e Durrësit vendos arrest me burg për 20 ish-punonjës të Kadastrës Durrës dhe detyrim paraqitje për 6 të tjerë. Gazetarja Klodjana Haxhiaj raportoi për “BalkanWeb” se arrestimet janë kryer mëngjesin e sotëm dhe ish-punonjësit po merren në pyetje për dosje të ndryshme pronash, me të cilat policia dyshon se janë kryer abuzime. Mes të arrestuarve janë ish-nëndrejtorë, ish- drejtorë dhe ish-specialistë të Kadastrës.

Pritet që në orët në vijim të ketë informacione zyrtare. Kujtojmë se ish-drejtori i Kadastrës Durrës Liridon Pula u arrestua pak ditë më parë dhe u lirua nga Gjykata e Apelit më 18 tetor me masën detyrim paraqitje.

Pula u arrestua nën dyshimet se së bashku edhe me zyrtarë të tjerë, kanë tjetërsuar dhe abuzuar me pronat, kryesisht në bregdet.

Arrestimi i kreut të Kadastrës në Durrës solli një përplasje mes qeverisë dhe prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoja, i cili firmosi për arrestimin e tij. Në fillim të muajit, prokuroria arrestoi Lusiena Kolën, përgjegjëse e sektorit juridik në ASHK-në e Durrësit.

Më pas njoftoi edhe arrestimin e Liridon Pulës, i cili mbante postin e drejtorit. Prokuroria ka bërë po ashtu shpalljen në kërkim të ish-kreut të agjencisë së legalizimeve. Prokurori Ndoja u akuzua nga kryeministri Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe, se mbështet bandat e krimit dhe se ka ushtruar presion ndaj kreut të kadastrës në Durrës.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi