Ministri i Mbrojtjes i Sudanit, Awad bin Auf, i cili u betua të enjten si kryetar i Këshillit Ushtarak të Tranzicionit pas përmbysjes së presidentit Omar al-Bashir, në Sudan ka njoftuar se është larguar me dëshirën e tij nga detyra si kryetar i Këshillit Ushtarak të Tranzicionit.
Ndërkohë në detyrën si kryetar i Këshillit Ushtarak të Tranzicionit thuhet se është emëruar gjenerali Abdel Fattah al-Burhan. Gjithashtu bëhet e ditur se edhe gjenerali Kemal Abdulmaruf është larguar nga detyra e tij si zëvendëskryetar i Këshillit.
Kryetari i ri i Këshillit Ushtarak të Tranzicionit gjenerali Abdel Fattah al-Burhan duke dhënë betimin ka nisur detyrën.
Awad bin Auf, në një deklaratë drejtpërdrejt në televizionin shtetëror njoftoi largimin e tij pa kaluar ende as 24 orë nga detyra që mori si kryetar i Këshillit Ushtarak të Tranzicionit pasi ushtria mori kontrollin mbi qeverinë. Gjithashtu Awad bin Auf, tha se ai do të zëvendësohej nga gjenerali Abdel Fattah al-Burhan dhe se edhe gjenerali Kemal Abdulmaruf është shkarkuar nga detyra e tij si zv/kryetar i Këshillit.
Dje mijëra protestues mbushën rrugët pavarësisht orës policore që Këshilli ka vendosur pas grushtit ushtarak në Sudan.
Mijëra sudanezë të mbledhur në bulevardet kryesore dhe kryesisht para Shtabit të Përgjithshëm në kryeqytet, kërkuan dorëheqjen e ministrit të Mbrojtjes dhe kryetarit të Këshillit Ushtarak të Tranzicionit Awad bin Auf, emrave të lidhur me regjimin e Omar al-Bashir si dhe formimin e qeverisë civile të tranzicionit.