Një 38-vjeçar, i cili tentoi të dilte nga Shqipëria me 19150 euro pa i deklaruar në Pikën Kufitare të Kakavijës, është proceduar penalisht, teksa i është sekuestruar edhe shuma e parave.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, si rezultat i rritjes së vigjilencës së shërbimeve të Policisë Kufitare, me qëllim parandalimin dhe goditjen e krimeve në kufi, në Pikën Kufitare të Kakavijës, në dalje të Shqipërisë, u krye kontroll në çantën e shtetasit I. M., ku u gjetën 19150 euro, të cilat ky nuk i kishte deklaruar konform ligjit.
Në vijim të veprimeve procedurale për rastin, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe i sendeve me vlerë”, për shtetasin I. M., 38 vjeç, lindur në Patos, Fier dhe banues në Greqi. Gjithashtu, u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, shuma e eurove.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.


