Parlamenti i Bullgarisë votoi sot me 227 vota pro dhe asnjë kundër dhe asnjë abstenim për të pranuar dorëheqjen e qeverisë së kryeministrit, Rosen Zhelyazkov.
Kryeministri bullgar, Zhelyazkov njoftoi dje dorëheqjen, në një konferencë urgjente për shtyp në Asamblenë Kombëtare, vetëm pak minuta para se deputetët të votonin për një mocion mosbesimi kundër kabinetit të paraqitur nga ”Vazhdo Ndryshimin” dhe ”Bullgaria Demokratike”.
Që nga 1 dhjetori, vendi është përfshirë nga protesta masive antiqeveritare që u shkaktuan nga planet kontroverse të buxhetit të kabinetit, por që u përshkallëzuan në pakënaqësi antiqeveritare për korrupsionin, padrejtësinë dhe dështimin në shumë sektorë qeveritarë.
“Koalicioni qeverisës diskutoi situatën”, tha Zhelyazkov.
“Nuk kemi dyshim se në votimin e ardhshëm të mosbesimit qeveria do të marrë mbështetje. Pavarësisht kësaj, rezoluta e Asamblesë Kombëtare ka rëndësi kur pasqyron vullnetin e popullit”, theksoi kryeministri.
“Dëshira jonë është të jemi në nivelin që pret shoqëria. Burimi i pushtetit është sovrani dhe zëri i popullit”, tha ai.
Zhelyazkov u zgjodh kryeministër më 16 janar 2025 me 125 vota pro, 114 kundër dhe asnjë abstenim.


