Kryetari i Partisë Demokratike, Prof. Dr. Sali Berisha, ka nisur sot, më 2 dhjetor, turin e foltoreve, duke zhvilluar një bashkëbisedim me qytetarët e njësisë nr.9. Foltorja e parë e turit zhvillohet pranë një lokali tek ish-stacioni i Trenit.
Mes të tjerash, gjatë fjalimit të tij, Berisha komentoi edhe shoqërimin sot në Bruksel të përfaqësueses së lartë e Bashkimit Europian për politikën e jashtme, Federica Mogherini.
“Kjo është e vërteta. Ajo zonja që u arrestua dhe unë e përgëzoj, ajo nesër do ishte në Tiranë. Edi Rama i kishte bërë programin që t’i merrte deklarata asaj, por për fat të mirë Eurojust ia dha deklaratat asaj që i meritonte.”, tha kryedemokrati.
Berisha paralajmëron për një analizë brenda PD-së
Kryedemokrati gjithashtu paralajmëroi se në Partinë Demokratike do të nisë një proces analize duke nisur nga sot.
“Ne fillojmë sot një debat, fillojmë sot një analizë me të cilën ne do e nxjerrim shumë më të fortë dhe të fuqishme Partinë Demokratike. Po. Dhe në këtë analizë, jeni të ftuar secili prej jush të japë mendime, të bëjë kritika për cilido, të bëjë propozime. Kam vetëm dy kërkesa. Jo gjah shtrigash. Ne nuk bëhemi në asnjë rrethanë parti e gjahut të shtrigave, por japim përgjegjësinë me fakte, me argumente secilit. Ku i patëm dobësitë tona, çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë duhet të ndryshojmë? Ne nuk duhet të kemi frikë të bëjmë të gjitha sugjerimet, të gjitha propozimet.”, tha Berisha.
Ai shtoi: “Do bëjmë një analizë në të gjitha aspektet në mënyrë që të përgatitemi në mënyrën më të shpejtë të mundshme. Unë kam thënë se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, por me Edi Ramën të ardhme nuk ka”.
Po ashtu, mes të tjerash premtoi edhe se do të mbronte votën e qytetarëve nga vjedhja e manipulimi.
“Premtimi i dytë i imi ka qenë ky, para jush dhe shqiptarëve, do mbroj votën tuaj. Në qoftë se unë kisha deklaruar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, kisha deklaruar gjithashtu se unë do mbroj votën tuaj dhe mund t’u them se kjo u realizua plotësisht. Kjo është realizuar plotësisht. Kur kam thënë do mbrojmë votën, nuk kam thënë se do e mbrojmë me kallashnikovë, as me armë, por e mbrojtëm votën në vitin 2021 ishit dëshmitarë vetë se çfarë bëri policia për të na i marrë zgjedhjet, por mori një damkë ndërkombëtare.”, u shpreh Berisha.
Berisha falenderoi mbështetësit e PD-së për kontributin dhe përpjekjet e tyre kundër qeverisë aktuale, të cilën e kritikoi ashpër.
“Së pari, do përulem me mirënjohjen e pakufishme ndaj të gjithë jush, ndaj kontributit dhe përpjekjes tuaj të jashtëzakonshme kundër këtij regjimi. Regjim që në fakt ka shkretuar këtë vend sa asnjë pushtim tjetër në tërë ekzistencën e tij. Regjim që ka sjellë këtë komb në mënyrë absolute para alternativës të jesh apo të mos jesh.”, tha Berisha.
Ai theksoi se vendi po përballet me një krizë të thellë demografike dhe shoqërore. Lindshmëria është më e ulëta në 100 vitet e fundit sipas tij, pasi shumë të rinj po largohen nga Shqipëria, dhe vdekjet po tejkalojnë lindjet.
“Kjo sepse nga një komb ndër më të rinjtë në Europë dhe në botë që ishim vetëm pak dekada më parë, sot jemi kombi me numrin e lindjeve që kishim 100 vite më parë kur ishim gjithsej 700 mijë banorë. Sot jemi kombi me lindshmërinë më të ulët në botë për shkak të largimit të të rinjve tanë nga Shqipëria. Sot jemi kombi që nga viti 2018 gjer sot, vdekjet dominojnë shumë mbi lindjet. Dhe në këtë trend, në këtë rrokullisje, kombi shqiptar ka për fat reduktimin e gjysmë milionë e mos më shumë.”, tha Berisha.
Ai akuzoi qeverinë se ka krijuar një sistem diktatorial që, megjithëse nuk ndalon pluralizmin me ligj, por e shtyp politikën dhe shoqërinë për të mbajtur pushtetin.
“U ndala në këtë moment për të theksuar se jetojmë në një sistem diktatorial, i cili e ka pranuar pluralizmin, se ja ku jemi parti politike, nuk e ka të ndaluar me Kushtetutë dhe ligje, por e shtyp pa princip, e shtyp dhe i ngushton hapësirën me të gjitha mjetet për të qëndruar në pushtet. Dhe në këtë mënyrë, ai vazhdon të bazohet në dy shtylla kryesore. Bazohet në drogën. Miqtë e mi, duhet t’u them këtu se kombi në ekzistencën e tij nuk ka pasur faktor më shfarosës se sa droga.!”, vazhdoi Berisha.
Foltoret si kjo e sotmja, pritet të vazhdojnë edhe në njësitë e tjera, duke synuar sipas PD-së një dialog të drejtpërdrejtë me qytetarët.


