Aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë sërish sot i bllokuar nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët grekë.
Policia Kufitare Kakavijë njoftoi sot qytetarët mbi këtë bllokim, ndërsa bëri të ditur se do të lejohen të qarkullojnë vetëm automjetet që do të kenë emergjenca shëndetësore.
“Nëpërmjet qendrës së përbashkët të shkëmbimit të informacionit Kakavijë, është njoftuar nga Policia Kufitare Greke se ditën e sotme, nga ora 16:00 deri në orën 21:00 (me orën greke), aksi rrugor Kakavijë–Janinë, në fshatin Kallpaq, do të jetë i bllokuar për shkak të protestës që do të zhvillojnë fermerët”, njoftoi policia.
Policia Kufitare Kakavijë kërkon mirëkuptimin e qytetarëve dhe sugjeron planifikimin e udhëtimeve me automjete, në orare të tjera të ditës.


