Banka Qendrore Europiane (BQE) ka hedhur alarmin mbi rritjen ekonomike të kontinentit, duke treguar një Europë me dy shpejtësi: disa vende po përparojnë, ndërsa Italia dhe Gjermania mbeten pas. Sipas raportit të fundit të BQE-së, Spanja dhe Holanda regjistruan rritje përkatësisht 0,6% dhe 0,4%, ndërsa Italia dhe Gjermania nuk arritën të lëvizin nga vendi.
Ekonomia italiane varet shumë nga performanca gjermane, pasi një pjesë e madhe e industrive kryesore të vendit lidhet me prodhimet gjermane. Sektorë kyçë si automobilizmi, industria metalurgjike dhe kimike po përballen me vështirësi, të theksuara edhe nga barrierat tregtare dhe konkurrenca e fortë e Kinës, veçanërisht për markat si Volkswagen, BMW apo Bosch.
Gjermania përballet me probleme strukturore dhe një shpenzim joefektiv të fondeve publike nga qeveria Merz, duke çuar në një rritje minimale prej vetëm 0,9% për vitin e ardhshëm, edhe pse me stimuj të mëdhenj. Ekspertët paralajmërojnë se rritja e dobët, mungesa e reformave dhe varësia nga furnizimet kineze mund të çojnë në një tjetër vit të vështirë për industrinë dhe ekonominë.
Analistët nënvizojnë se pa reforma dhe investime të mençura, Italia dhe Gjermania do të vazhdojnë të ngelin pas vendeve të tjera evropiane, duke thelluar hendekun mes “lokomotivave” dhe vendeve më të dobëta të Eurozonës.


