Shqipëria dhe Italia konkretizuan një sërë marrëveshjesh dypalëshe me fokus të veçantë sigurinë, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe fuqizimin e mbrojtjes civile zunë një vend themelor.
Ministria e Mbrojtjes ka bërë të ditur detaje nga marrëveshjet në fushën e mbrojtjes të nënshkruara në kuadër të Samitit të parë Ndërqeveritar të mbajtur dje në Villa Pamphili në Romë duke rikonfirmuar thellësinë e partneritetit strategjik dhe angazhimin për stabilitetin dhe zhvillimin rajonal.
Kryeministri Edi Rama dhe ajo italiane, Giorgia Meloni mbikëqyrën nënshkrimin dhe shkëmbimin e disa marrëveshjeve në sektorë të ndryshëm, ku siguria, zhvillimi i industrisë së mbrojtjes dhe fuqizimi i mbrojtjes civile zunë një vend themelor.
I. Thellimi i Bashkëpunimit në Fushën e Mbrojtjes
Ministrat e Mbrojtjes nënshkruan Marrëveshjen për bashkëpunim në fushën e mbrojtjes, duke zgjeruar aktivitetet e përbashkëta në trajnim, ndërveprueshmëri, siguri detare dhe gatishmëri operacionale. Gjithashtu, firmosja e marrëveshjes teknike për transferimin e dy motovedetave patrulluese italiane për Rojën Bregdetare Shqiptare forcon ndjeshëm kapacitetet e Shqipërisë për vëzhgimin e hapësirës detare si dhe operacioneve të kërkim-shpëtimit në detet Adriatik dhe Jon.
II. Zgjerimi i Bashkëpunimit Industrial të Mbrojtjes
Konsolidimi i partneritetit strategjik në fushën e industrisë së mbrojtjes është një hap domethënës për krijimin e bazës industriale të mbrojtjes në vend, në përputhje me agjendën më të gjerë të industrializimit dhe aftësive teknologjike e prodhuese të vendit.
Marrëveshjet e bashkëpunimit të nënshkruara sot nga kompania shtetërore KAYO me kompanitë italiane “Leonardo” dhe “Fincantieri” fokusohen në përdorimin e teknologjive të avancuara nga municionet, te sistemet e komandim-kontrollit, zhvillimin e kapaciteteve të mirëmbajtjes së anijeve ekzistuese të Forcës Detare, dhe prodhimit të mjeteve të reja detare për tregun vendas dhe ndërkombëtar.
III. Investime në Fushën e Mbrojtjes Civile
Forcimi i Qëndrueshmërisë dhe kapaciteteve të mbrojtjes civile të Shqipërisë ishte një nga shtyllat kryesore të samitit të sotëm. Nënshkrimi i dy instrumenteve financiare si, kredia 30 milionë euro dedikuar për pajisje, trajnim dhe modernizim operacional, dhe granti 5 milionë eurosh i fokusuar në reagimin e shpejtë dhe reduktimin e rrezikut, e vendosin në një nivel të ri bashkëpunimin midis vendeve tona.
Këto nisma plotësohen nga nënshkrimi i memorandumit dhe deklaratës trepalëshe AKMC-AICS Tirana dhe e Agjencisë Italiane të Mbrojtjes Civile, për garantimin e sinergjive për projektet aktuale dhe të ardhshme të mbrojtjes dhe emergjencave civile.


