Kandidati i Partisë Socialiste në zgjedhjet e pjesshme vendore të 9 nëntorit për Bashkinë e Cërrikut, Florenc Doka, i ftuar në podcastin “Flasim – Kandidati” të kryeministrit Edi Rama, vuri theksin te zhvillimet e reja që priten për qytetin dhe te rëndësia e një vizioni përtej ndasive politike.
Doka deklaroi se përfaqëson të gjithë banorët e Cërrikut, pa dallim politik dhe se hynte në këtë garë për t’i dhënë qytetit një drejtim të qëndrueshëm, të bazuar te puna dhe bashkëpunimi.
Duke folur për prioritetet e programit të tij, Doka theksoi dy projekte madhore që do të ndikojnë ndjeshëm në jetën e qytetarëve.
Projekti i parë është ndërtimi i palestrës së re të peshëngritjes, një investim që pritet të përfundojë në vitin 2026.
“Kjo nuk do të jetë vetëm një palestër sportive, por një qendër e plotë komunitare që do të përfshijë edhe kinema dhe hapësira shërbimesh. Cërriku ka një traditë të gjatë në peshëngritje, me kampionë të shumtë kombëtarë dhe ndërkombëtarë, ndaj ky projekt është një homazh ndaj historisë sportive të qytetit dhe një investim për brezat e rinj”, tha Doka.
Projekti i dytë, sipas tij, lidhet me bashkëpunimin me GIZ-in gjerman për të bërë Cërrikun bashkinë e parë që redukton ndjeshëm shpenzimet e energjisë.
“Jemi drejt finalizimit të një projekti me vlerë rreth 1 milion euro për instalimin e paneleve diellore në institucionet publike. Ky investim do të mundësojë kursimin e rreth 16 milionë lekëve në vit dhe do të na lejojë që shkollat, rrugët dhe godinat e bashkisë të mos kenë më shpenzime për energjinë elektrike”, theksoi ai.
Po ashtu ai vuri në dukje se do të instalohen chillere në shkolla, në mënyrë që të mos përdoren më nafta e dru për ngrohje. “Qëllimi është ulja e shpenzimeve deri afër zero dhe kthimi i këtij investimi në përfitim për shkollat, pa pagesa nga taksat e banorëve“, tha ai.
Sipas kandidatit socialist, ky është një hap i rëndësishëm drejt një bashkie më të gjelbër dhe më efikase, ku qytetarët përfitojnë drejtpërdrejt nga zhvillimi.
“Asnjë taksë shtesë, asnjë barrë mbi qytetarët. Vetëm investime që ulin kostot dhe përmirësojnë jetën e përditshme”, tha Doka.
Ai shtoi se Cërriku ka hyrë në një fazë të re zhvillimi, me pritshmëri të larta dhe mbështetje të madhe nga qeveria.
“Fakti që për herë të parë ish-kreu i bashkisë është bërë ministër tregon rëndësinë që ka marrë Cërriku në këto zgjedhje”, u shpreh ai.
Doka nënvizoi se objektivi i tij është të fitojë me një mbështetje të gjerë qytetare, përtej ndasive partiake.
“Kjo garë nuk është thjesht për Partinë Socialiste, por për Cërrikun dhe të ardhmen e tij. Dua të marr votën qytetare, të atyre që besojnë te puna dhe jo te ndarjet politike”, përfundoi Doka.
Duke folur për kundërshtarët e tij në këtë garë, Doka tha se opozita nuk është bashkë, ka dy kandidatë një i pavarur, i mbështetur nga PD dhe kandidati tjetër është i nismës “Shqipëria Bëhet”.
“Secili kandidon më vete. Të dy bashkë nuk do të bëjnë dot as përqindjen që ka pasur deri dje PD në zone”, tha Doka.


