Ish-Presidenti i vendit, Ilir Meta, pretendon shkelje në tre shkallë të gjyqësorit, duke kërkuar ndryshimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj tij.
Pikërisht për shqyrtimin e kësaj kërkese, Gjykata Kushtetuese po zhvillon sot, 5 nëntor, mbledhje në Dhomën e Këshillimit.
Meta akuzohet nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, në bashkëpunim, së bashku me ish-bashkëshorten e tij Monika Kryemadhi, dhe tre persona të tjerë. Së fundmi, Prokuroria e Posaçme ka paraqitur prova shtesë që lidhen me hetimet mbi veprimtarinë financiare të të pandehurve.
Bëhet fjalë për një letër-porosi, të ardhur nga Shtetet e Bashkuara, të cilën e ka mohuar nga qelia Ilir Meta, duke e cilësuar gjithë procesin gjyqësor ndaj tij sulm të orkestruar politik.
SPAK ka përfunduar hetimet për çështjen në fund të korrikut 2025, ndërsa në gusht dosja u dërgua për gjykim, duke bashkuar në një dosje të vetme hetimet për aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI-së (sot Partia e Lirisë) në SHBA dhe pasurinë e padeklaruar.
Meta ndodhet në burg prej 1 viti tanimë dhe vazhdimisht i është drejtuar Gjykatave përkatëse me ankimim të masës shtrënguese. Ai u arrestua më 21 tetor 2024 nga agjentët e BKH-së pranë “Kthesës së Kamzës”, ndërsa po shkonte drejt selisë së Partisë së Lirisë.


