Autoritetet shëndetësore britanike kanë njoftuar se numri i vdekjeve nga koronavirusi i ri (COVID-19) në mbarë Mbretërinë e Bashkuar është rritur në 11.329, me 717 viktima të regjistruara në 24 orët e fundit.
Departmenti i Shëndetësisë tha se që nga shpërthimi i pandemisë janë testuar 29.720 persona të dyshuar nga të cilët 88.621 kanë rezultuar pozitiv ndaj virusit COVID-19.
Ndërkohë, kryeministri britanik, Boris Johnson, i cili fundjavën e kaluar u lëshua nga spitali pasi më herët rezultoi pozitiv ndaj koronavirusit, po rikuperohet në ‘Checkers’, shtëpinë e kryeministrin të Mbretërisë së Bashkuar.
Më herët, një zëdhënës i kryeministrit britanik, tha se Johnson është përqendruar në rimëkëmbjen e tij dhe aktualisht nuk është i angazhuar me punët e qeverisë.
Kjo ka krijuar konfuzion se si do të merret vendimi lidhur me bllokimin, i cili duhet të merret më së voni deri të enjten dhe pritet që të zgjatet për tre javë të tjera.
Kjo erdhi përderisa disa brenda qeverisë britanike dhe mediat filluan të paralajmërojnë për kostot ekonomike të bllokimit.
Zëdhënësi i kryeministrit po ashtu tha se në ditë po kryhen 18 mijë teste dhe kjo shifër është më e vogël se 100 mijë testet në ditë të premtuara nga Matt Hancock.
Mungesa e testeve ka qenë fokus i kritikave ndaj qeverisë për trajtimin e shpërthimit.
Pas shfaqjes për herë të parë dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Bazuar në të dhënat nga Universiteti John Hopkins me qendër në SHBA, numri i rasteve të koronavirusit ka tejkaluar shifrën 1.8 milionë, me mbi 114 mijë të vdekur dhe mbi 440 mijë të shëruar.


