Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, gjatë konferencës së tij të përditshme për mediat, ngriti alarmin për shpopullimin masiv të vendit, të cilin e cilësoi si “goditjen më të rëndë ekzistenciale” që kombi shqiptar ka marrë në historinë e tij.
Berisha tha se treguesit demografikë të Shqipërisë nuk kanë pësuar kurrë rënie të tillë brenda një periudhe kaq të shkurtër, duke akuzuar qeverinë Rama për “katastrofën më të madhe demografike të regjistruar ndonjëherë në vend”.
Ai e përshkroi situatën si një proces të planifikuar që “përbën gjenocid të heshtur ndaj shqiptarëve”, duke iu referuar konventave ndërkombëtare që trajtojnë çështjet e zhdukjes së popullsive përmes mjeteve jo të dhunshme.
Sipas tij, Shqipëria ndodhet në një moment emergjence absolute dhe kërkon një platformë të qartë që të përmbysë trendin negativ të lindshmërisë dhe emigracionit masiv. Berisha paralajmëroi se me treguesit aktualë, vendi rrezikon të shkojë drejt “zhdukjes së pashmangshme”.
Propozimet e PD-së
Gjatë fjalës së tij, Berisha tha se opozita propozon një paketë të re mbështetëse për nxitjen e lindjeve, duke filluar nga buxheti i vitit 2026. Sipas Berishës, ndihma financiare për familjet duhet të jetë si vijon:
Fëmija i parë: 1 mijë euro në vit
Fëmija i dytë: 2 mijë euro
Fëmija i tretë: 3 mijë euro
Fëmija i katërt dhe më shumë: 5 mijë euro bonus
Të gjitha këto të përllogaritura për 30 mijë lindje në vit, shkojnë 60 milionë euro “sepse ne kemi përllogaritur edhe kostot e kësaj ndërhyrje“, tha Berisha.
Ai shtoi se deri në vitin 2026, PD propozon që çdo fëmijë deri në moshën 6-vjeçare të marrë një bonus mujor prej 50 eurosh.
Bonusi mujor për fëmijët e lindur, ato ishin bonus i përnjëhershëm, bonusi mujor për fëmijët e lindur, me këtë buxhet, pra për vitin 2026, të jetë 50 euro për çdo fëmijë gjer në moshën 6 vjeç. 60 euro për çdo fëmijë, në moshën 6 deri 18-vjeçare. Vlera në vit për 30 mijë lindje i bie të jetë 15 milionë euro. Zero pagesë për fëmijën e tretë apo më shumë për çerdhe dhe kopshte.
“Të gjitha i paguan shteti.”, sipas tij.
Me këtë mbështeten të paktën 15 mijë fëmijë në vit dhe shuma e nevojshme nga buxheti për këtë masë është 5 milionë euro.
Propozime të tjera: “Rimbursim të ilaçeve për fëmijën e tretë apo më shumë në masën 120 euro në vit. Të paktën 8 mijë fëmijë përfitojnë nga kjo dhe shumë është 1 milion euro në vit rimbursim i plotë”.
Berisha theksoi se masat duhet të merren menjëherë për të frenuar largimin masiv të shqiptarëve dhe për të garantuar të ardhmen demografike të vendit.


