“Zgjerimi i BE-së do ta forcojë më tepër Europën e bashkuar”

Ministri hungarez i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë, Péter Szijjártó, gjatë vizitës në Tiranë ka deklaruar se zgjerimi i Bashkimit Evropian (BE) do ta forcojë më tepër Evropën.

Ministri në detyrë për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Gent Cakaj, ka realizuar një takim me ministrin Szijjártó, ndërsa në konferencën e përbashkët për mediat u fokusuan në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe në procesin e integrimit evropian të Shqipërisë.

Duke folur për marrëdhëniet midis dy vendeve, Cakaj tha se janë në një proces shqyrtimi të mundësive të reja për të thelluar bashkëpunimin sipas tij strategjik në fushat e interesit të ndërsjellë me Hungarinë.

“Prirja e bashkëpunimit dypalësh në sektorë të ndryshëm përfshirë ekonominë, është në rritje. Marrëdhënia e Shqipërisë dhe Hungarisë në kuadrin dypalësh është e shkëlqyer, por është edhe tepër e rëndësishme sa i përket angazhimeve në axhendën evropiane”, tha Cakaj.

Ministri Cakaj, duke folur për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë theksoi se “Hapja e negociatave për anëtarësim për Shqipërinë nuk është diçka që kërkon thjeshtë mbështetjen përfshirë të shteteve si Hungaria, por është një çështje që lidhet me vetë të ardhmen e BE-së. Hungaria është një nga mbështetëset më të fuqishme të hapjes së negociatave për Shqipërinë, bazuar jo vetëm në meritat e veçanta të Shqipërisë deri tani, por edhe për shkak të domosdoshmërisë strategjike që vendimi për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor ka në përgjithësi”.

Cakaj tha se Shqipëria në asnjë rrethanë nuk duhet të lejojë që çështjet e saj të brendshme të shndërrohen në kushte shtesë për hapjen e negociatave për anëtarësim.

“Zgjerimi do ta forcojë më tepër Evropën e bashkuar”

Ministri hungarez Szijjártó u shpreh se Ballkani Perëndimor është në fokusin e politikës së jashtme të Hungarisë.

“Hungaria jo vetëm që e mbështet zgjerimin (e Bashkimit Evropian), por mendojmë që zgjerimi do ta forcojë më tepër Evropën e bashkuar. Jemi të pikëpamjes që me Shqipërinë dhe me Maqedoninë e Veriut duhet të nisin menjëherë bisedimet e integrimit. Ne si Hungari vazhdimisht do të mbështesim përpjekjet e Shqipërisë për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Sipas pritshmërive tona ne themi që duhet patjetër që Evropa e bashkuar të marrë një vendim përfundimtar për nisjen e bisedimeve”, tha Szijjártó.

Kryediplomati hungarez theksoi më tej se eksperienca dikton që integrimi evropian është një nga mjetet më të mira për të çliruar tensionet rajonale dhe shtoi se beson se kjo do të ishte shumë e vlefshme edhe për Ballkanin Perëndimor.

“Një nga sfidat që ka përpara Evropa do të mbetet sërish emigrimi ilegal. Ky emigrim masiv ka vendosur Evropën e bashkuar përballë detyrave shumë të vështira për t’u zgjidhur dhe përbën një sfidë serioze. Prandaj urojmë që Shqipëria të mbrojë me efektivitet kufijtë e saj dhe të mos lejojë që në mënyrë masive emigracioni të depërtojë nëpërmjet Shqipërisë në Evropë”, u shpreh ministri Szijjártó.

Ministri hungarez gjatë vizitës në Shqipëri ka realizuar takime edhe me zyrtarë të tjerë të vendit.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi