Zgjedhjet në FSHF, Fino: Jo i zhgënjyer! E prisja rezultatin e një procesi të parregullt

Me përfundimin e procesit të votimit, që rikonfirmoi Armand Dukën si kreun e FSHF-së për një mandat të pestë, rivali i tij Bashkim Fino deklaroi se e priste këtë rezultat, e për këtë arsye nuk mund të ishte i zhgënjyer. Sipas tij, ky ka qenë një proces i parregullt për shkak të listës së delegatëve.

“Po të mos ishin shoqatat dhe klubet ilegale, do ishte një garë më e ndershme”, theksoi Fino në daljen e parë pas përfundimit të numërimit për kreun e ri të FSHF-së.

Deputeti i Partisë Socialiste, gjithsesi nuk dorëzohet dhe deklaron se çështjen do ta ndjekë në rrugë ligjore, duke e dërguar në gjykatë, e më pas, nëse do e shihte të arsyeshme edhe në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, (CAS), në Lozanë të Zvicrës.

“Ky ishte një proces i parregullt, që fillon nga votimi i 12 shoqatave ilegale të paregjistruara në gjykatë. Diferenca prej 14 votash është rezultat i këtyre 12 shoqatave dhe klubeve ilegale. Ekipe si Olimpiku, Vlora apo edhe Fieri nuk janë pjesë e futbollit dhe vendosja e delegatëve ishte guri edhe arra në thes. Këta votuan, e kjo tregon edhe diferencën që bëri që Duka të fitojë në këto zgjedhje. Do të vijojmë me procesin gjyqësor për të mirën e futbollit shqiptar. Do të respektojmë gjykatat tona, por çështja mund të shkojë edhe në FIFA, e pse jo deri në CAS-in e Lozanës”, theksoi Fino.

Në fund, deputeti Bashkim Fino theksoi se ai vet nuk e përdori politikën në këtë garë, madje akuzon se ishte kundërshtari i tij, ai që e bëri diçka të tillë./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi