Zemra? Kujdes emocionet. Urgjencat, më shumë punë gjatë Botërorit

Kampionati botëror i futbollit ka një ngarkesë të madhe emocionesh, që përballohen me vështirësi nga njerëz që kanë probleme shëndetësore. Në pikën e Urgjencës në Kombinat flasim me doktor Afrim Kastriotin.

E pyesim nëse kanë pasur raste sulmesh kardiake, nga emocionet e mëdha të ndeshjeve të Botërorit.

“Mua personalisht nuk më ka bërë rastisur, por që emocionet, si ato negative edhe ato pozitive, gjithmonë ndikojnë në problemet e zemrës, sidomos ata që janë kardiopatë. Qoftë edhe ai që mund të gëzohet shumë, qoftë edhe ai që hidhërohet shumë, sepse emocione janë ato. Shpeshherë na ka rastisur shkojmë në një familje dhe na thonë se pas kësaj ndodhi kjo gjë, sepse është ana emocionale që e ka stimuluar”, thotë doktor Afrimi.

Me riorganizimin e Shërbimit Kombëtar të Urgjences, vetëm në rrethin e Tiranës ka 7 pika të gatshme që veprojnë 24 orë nëpër terren. Por, sa urgjenca përballojnë ato në një ditë?

“60-70 e deri në mbi 100 mund të shkojë në një ditë, por këtu e kam fjalën për të gjitha ekipet. Një ekip mund të shkojë deri në 10-15 urgjenca në ditë”, thotë më tej ai.

Doktori këshillon një kontroll të vazhdueshëm mbi emocionet.

“Duke u shtuar risqet njëri pas tjetrit, shtohet vapa, emocionet, sëmundjet kronike… Sa më shumë shtohet një faktor, aq më shumë shtohet edhe rreziku për të pësuar një sulm. Kështu që detyrimisht edhe emocionet duhet t’i kontrollojmë”, thotë doktori.

Doktor Afrimi flet gjithashtu për një rritje të numrit të njerëzve që pësojnë sulme paniku.

“Ka shumë raste kur ne shkojmë për kod të kuq, apo rast shumë të rëndë, me sirena etj. Kur shkojmë atje qëllon të jetë një sulm paniku, ndaj nuk është për urgjencë apo sulm kardiak. Vitet e fundit sa vjen e janë shtuar më shumë sulmet e panikut”, tha dr. Kastrioti.

Top Channel

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi