Zaev: Së bashku t’i gëzohemi datës për fillimin e negociatave

Kryeministri i Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev, në seancën e 52-të kuvendore për parashtrimin e pyetjeve të deputetëve, u përgjigj se “është mirë që së bashku t’i gëzohemi vendimeve pozitive për Maqedoninë”.

Zaev në pyetjet e opozitës në Kuvendin e Maqedonisë tha se vendi ka marrë një datë për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian (BE), duke kujtuar se “skrining procesi” i Maqedonisë fillon më 17 korrik dhe se Këshilli i Evropës asnjëherë më nuk do t’i kthehet Maqedonisë për t’i vendosur një datë për negociata.

Deputeti i opozitës maqedonase, VMRO-DPMNE-së, Kërsto Jovanovski, në seancën e sotme i quajti “tradhtarë” kryeministrin Zaev dhe deputetët e shumicës parlamentare, duke parashtruar pyetje për marrëveshjen e arritur midis Maqedonisë dhe Greqisë për zgjidhjen e kontestit rreth emrit.

“Nuk është e turpshme të vdiset, por turp i madh është nëse ndryshojmë emrin. Mirëpo, pa emër edhe varret do t’i kemi bosh”, tha Jovanovski, duke akuzuar qeverinë aktuale, pasi sipas tij, ka “shitur” emrin për përfitime materiale dhe për fuqi.

Duke iu përgjigjur akuzave nga deputeti Jovanovski, kryeministri Zaev theksoi se me këtë marrëveshje është përmbushur aspirata shekullore e paraardhësve, aspirata, siç tha ai, që të kemi shtet.

“Maqedonia pas 27 vitesh do të ketë një mundësi të qartë të vendosë se për çfarë të ardhme angazhohet dhe çfarë të ardhme dëshiron për fëmijët e saj. Maqedonia më në fund do të jetë dhe askush asgjë nuk mund t’i bëjë. Sigurisht nëse qytetarët qëndrojnë prapa çështjes së refendumit dhe e mbështesin. Për shkak se më në fund jemi shtet i njohur nga e gjithë bota, më në fund na njihet populli dhe gjuha maqedonase dhe dyshime më shumë nuk ka”, tha kryeministri Zaev.

Zaev theksoi se kjo është një zgjidhje që garanton sigurinë e vendit, duke shtuar se më në fund kanë një listë të pronave, të jenë anëtarë të NATO-s dhe BE-së.

Deputeti nga radhët e partisë së tij, Lidhjes Social Demokratike të Maqedonisë (LSDM), Muhamet Zekiri, pyeti kryeministrin Zaev pse kreu i Bashkësisë Islame Fetare (BFI), Sulejman Rexhepi, është sipas tij, i parprekshëm tek autoritetet, duke e akuzuar atë se punon në mënyrë të paligjshme.

“Nëse ne të gjithë jemi të njëjtë dhe u qëndrojmë ligjeve, atëherë mendoj se nuk mund të ketë njerëz të paprekshëm. Sulejman Rexhepi që para viteve të 80-ta vazhdon pavarësisht skandaleve të shumta. U përgjërohet të gjitha pushteteve dhe duke u mbuluar pas perdes së liderit fetar bën gjithçka, vetëm jo atë që duhet ta bëjë dhe çfarë mëson feja”, tha Zekiri.

Sipas tij, BFI besimtarëve muslimanë që udhëtojnë në haxh u paguan viza për në Arabinë Saudite, edhe pse ky vend siç tha ai, vizat i jep pa pagesë. Ai i bëri thirrje qeverisë që të dërgojë policinë financiare që të kontrollojë se si financohet ky institucion dhe si i menaxhon paratë e besimtarëve.

Kryeministri Zaev u përgjigj se qeveria nuk është përgjegjëse dhe as që mund të përfshihet në proceset e brendshme të zgjedhjeve dhe emërimeve për shkak të karakterit sekular të Kushtetutës së Maqedonisë.

“Kjo që sot u hap si diskutim është udhërrëfyes zyrtar edhe deri tek qeveria për të kryer inspektime dhe kontrolle nëse paguhen taksat mbi qiranë e pronave. Inpektorati i punës do të marrë një urdhër nga unë personalisht si kryeministër t’i kontrollojë këto aspekte dhe do të veprojmë në pjesën e cila është në kompetencat tona”, tha kryeministri Zaev./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi