Zaev në PE: Ky është referendum për pavaresinë tonë të dytë

Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev sot iu drejtua Parlamentit Europian me ftesë të kryetarit të PE-së, Antonio Tajani.

Kryeministri Zaev në fjalimin e tij theksoi se ky është adresimi i parë i një kryeministri të Maqedonisë, që adresohet në gjuhën maqedonase para PE-së.

“Ky është një moment historik për popullin tonë maqedonas. Kjo është hera e parë që një kryeministër i vendit tonë flet në PE në gjuhën e tij amtare”, tha Zaev.

Ai para eurodeputetëve dhe anëtarëve të Komisionit Europian foli për rëndësinë e Marrëveshjës për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, me ç’rast falënderoi homologun e tij grek, Alexis Tsipras për arritjen e marrëveshjes.

Në fjalimin e tij, Zaev iu referua 30 shtatorit të këtij viti dhe tha se ky është një referendum për pavarësinë e dytë.

“Për Republikën e Maqedonisë, kjo është një mundësi që kohë të gjatë jemi duke pritur. Në vitin 1991 votuam për pavarësi. Në një referendum. Tani, përsëri në një referendum duhet të bëjmë hapin tjetër: të krijojmë një mundësi të vërtetë për t’u bërë shteti i 30 anëtar i NATO-s, dhe të fillojmë të mbyllim një nga një kapitujt për anëtarësim në Bashkimin Europian, në familjen europiane. Referendumi i 30 shtatorit është shumë më tepër se një referendum për Marrëveshjen e Prespës. Ky është referendum për të ardhmen. Ky është referendum për pavarësinë tonë të dytë”, tha Zaev.

Ai shtoi se zgjidhja e mosmarrëveshjes për emrin mund të shërbejë si një shembull i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të tjera dypalëshe.

“Ne duam të shërbejë si shembull dhe frymëzim për të zgjidhur të gjitha çështjet bilaterale në Ballkanin Perëndimor dhe të japim mbështetje të fuqishme për gjetjen e zgjidhjeve të qëndrueshme bazuar në vlerat evropiane dhe të drejtën ndërkombëtare, të cilat përgjithmonë do të stabilizojnë rajonin dhe të përgatiten për integrim në BE”, theksoi Zaev.

Ndër të tjera, ai tha se një Ballkan i suksesshëm është “një Ballkan i integruar në Bashkimin Europian”.

“Ky vizion na motivon që të bëjmë hapin historik dhe kështu të inkurajojmë proceset e pajtimit, ndërtimin e unitetit dhe aleancës në rajon”, tha Zaev.

Kujtojmë sot është planifikuar një vizitë e Përfaqësueses së Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri të BE-së, Federica Mogherini në Maqedoni, e cila pritet të takohet me kryeministrin Zaev, si dhe t’u drejtohen mediave në Çarshinë e Vjetër të Shkupit./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi