BALLKANI

Zaev: Marrëveshja me Greqinë pa kalkulime politike

Spread the love

Maqedonia ka bërë marrëveshje korrekte dhe të drejtë me Greqinë, një marrëveshje të guximshme pasiqë nga ardhja në postin e kryeministrit, e kisha të qartë se nuk jemi në një kohë kur mund të bëjmë kalkulime politike dhe partiake të cilat do të çojnë shtetin në një stagnim, deklaroi kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, në debatin e sotëm për ndryshimet kushtetuese në Universitetin FON të Shkupit.

Para një publiku të përbërë nga ekspertë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe studentëve të universitetit në fjalë, Zaev tha se miratimi në Kuvend i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, do ta bëjë vendin pa konteste bilaterale me fqinjët, me çka Maqedonisë do t’i trasohet rruga drejtë euro-integrimeve pa qenë e penguar nga askush.

Zaev u ndal tek ndryshimet kushtetuese, më saktësisht te 4 amandamentet të cilat kaluan fazën e parë të votimit në Kuvend dhe tani janë temë e debatit publik.

Në amendamentin e parë tha ai, Republika e Maqedonisë në kushtetutë do të zëvendësohet me Republika e Maqedonisë së Veriut, përveç në një rast, ku emri Maqedoni ka kontekst historik.

“Kjo sjell ndjenja të pakëndshme, por është fakt se ne jemi në pjesën veriore të saj, nuk kemi aspirata ndaj asnjë shteti fqinj, ndërsa ishte e një rëndësie jetike që Greqia të zhbllokojë procesin e integrimeve dhe problemi të gjidhet përfundimisht. Kjo është arsyeja e ndryshimeve kushtetuese”, tha Zaev për të shtuar se amendamenti i dytë shton në kushtetutë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit si një element shtetformues.

Në amendamentin e tretë, tha Zaev, shtohet se Republika e Maqedonisë respekton integritetin territorial dhe pavarësinë politike të fqinjëve, dhe në të katërtin mes tjerash qëndron se vendi mbron të drejtat dhe interesat e shtetasve të saj të cilët jetojnë jashtë vendit.

Kryeministri i Maqedonisë tha se janë të gatshëm për të zhgjidhur çështjet e hapura bilaterale, për çka dhe filluan negociatat me Greqinë, të cilës në planin ndërkombëtar i parapriu si çështje e parë, zgjidhja e kontestit me Bullgarinë.

“Në fillim numri i qytetarëve të cilët përkrahnin marrëveshjen ishte i vogël, por tashmë kjo shifër është në mbi 60 për qind, ndërsa rreth 74 për qind e qytetarëve thonë se Kuvendi duhet të sjellë një vendim sepse ne zgjedhim përfaqësuesit dhe ata duhet të marrin vendime”, tha Zaev në fjalimin e tij në fillim të debatit në fjalë.

Rektori i Universitetit FON, Nano Ruzhin nga ana e tij tha se Maqedonia ka bërë një marrëveshje të mirë me Greqinë, sepse siç tha, kalkulimi i ish presidentit të ndjerë Kiro Gligorov se koha punon për Maqedoninë rezultoi i gabuar dhe se Maqedonia nuk mund ta fitojë luftën diplomatike me Greqinë, dhe as përmes instrumenteve juridike përmes Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë.

Marrëveshja tha ai, i jep shtetit një emër, i cili në të gjitha instancat ndërkombëtare ka pasur një referencë, FYROM (IRJM) por njëkohësisht, heq nga vetja politikën irredentiste, sepse territori Maqedoni në 51 për qind të tij ndodhet në Greqi, Republika e Maqedonisë me 36 për qind dhe Bullgaria me 10 për qind.

“Sado të tingëllojë e habitshme, në gjeopolitikë, kur ju keni monopolin mbi një hapësirë që të quhet sipas emrit tuaj imponohet një ambicie irredentiste, ndonëse nuk kemi qenë të vetëdijshëm”, tha Ruzhin, i cili inkurajoi zgjidhjen e kësaj çështjeje për të eliminuar skenaret e zeza për rajonin i cili ka një Bosnje jofunksionale dhe një dijalog të pazgjidhur Prishtinë -Beograd.

Pas fjalimeve hyrëse pasoi debati, i cili është i dyti me radhë nga gjithsej pesë, pas çka propozimet sërish kthehen në qeveri për shqyrtim, e cila pastaj i kthen në Kuvend në forma të amendamenteve, për të cilat do të duhen dy të tretat e votave, ose 80 deputetë.

Ndryshimet kushtetuese janë pjesë e Marrëveshjes së Prespës, e nënshkruar në muajin qershor nga qeveritë e Maqedonisë dhe Greqisë, zbatimi i së cilës është kusht për anëtarësim të vendit në NATO dhe fillim të negociatave për anëtarësim në Bashkimin Evropian (BE).

Pas zbatimit nga pala maqedonase, Marrëveshja e Prespës do të duhet të ratifikohet edhe nga Parlamenti grek.

Related posts

CIA në raportin për Ballkanin: Një eksploziv gati të shpërthejë

dritatv

Ligji grek i luftës, Bushati: Dy përfitime kryesore nga heqja e tij

dritatv

Mali i Zi, për herë të parë një grua kandidate për postin e presidentit

dritatv

Leave a Comment