Yildirim: Qëllimi i procesit të Astanas është përfundimi i luftës 6 vjeçare në Siri

Kryeministri i Turqisë, Binali Yildirim organizoi një drekë për nder të pjesëmarrësve të Këshillit të 10-të të Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Azisë (APA).

Yildirim gjatë fjalimit të tij rikujtoi se me këtë takim Turqia do të marrë presidencën e radhës së APA-s nga Kamboxhia dhe se do ta mbajë këtë deri në vitin 2019.

“Turqia vazhdon bashkëpunimin e ngushtë me shtetet tjera”

Yildirim tha se nuk duhet habitur që shekulli 21 është “shekulli i Azisë”. Sipas tij, Azia është kontinenti më i madh dhe më i populluar në botë. “Mendoj se Azia është një rajon që realizon lëvizje të shpejta të zhvillimit dhe është rajoni më i hapur për inovacione. Sot po flasim për një rajon shumë dinamike dhe prodhuese. Në këtë aspekt është kënaqësi që Këshilli i 10-të i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Azisë po zhvillohet me temën “Vazhdimi i paqes dhe i zhvillimit në Azi”. Vazhdimi i paqes dhe i zhvillimit ka rëndësi të madhe për Azinë dhe për gjithë botën”, tha ai.

Duke folur për zhvillimet e muajve të fundit në Irak, Yildirim tha se kriza në këtë vend është tejkaluar me qëndrimin e vendosur të Qeverisë qendrore të Irakut, Turqisë, Iranit, si dhe faktorit ndërkombëtar ndaj të ashtuquajturit referendum në këtë vend dhe se në këtë mënyrë autoriteti ka kaluar në Qeverinë qendrore të Irakut.

Ai tha se për të parë një zhvillim të ngjashëm edhe në Siri, Turqia, Rusia dhe Irani kanë nisur procesin e Astanas. Yildirim tha se “Qëllimi i procesit të Astanas është përfundimi i luftës së brendshme 6 vjeçare në Siri dhe sigurimi i paqes dhe stabilitetit të përhershëm në Siri. Në këtë aspekt përsëri Turqia, Rusia dhe Irani luajnë një rol shumë aktiv”.

“Liderët do ta vlerësojnë procesin e Astanas”

Yıldırım ka shtuar se presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan në takim me presidentin e Iranit Hasan Ruhani dhe me atë të Rusisë Vladimir Putin do të vlerësojnë gjendjen e fundit në procesin e Astanas dhe do të marrin vendime për kalimin në procesin e Gjenevës, i cili është hapi i ardhshëm.

Kryeministri Yildirim tha se duan ta lënë prapa këtë proces ku miliona persona janë detyruar që të emigrojnë nga vendet e tyre dhe ku rreth 1 milion persona të pafajshëm kanë humbur jetën. Sipas tij, Turqia është një nga ato shtete që e paguan më së shumti çmimin e destabilizimit që ndodhi në këto rajone.

Në vijim ai rikujtoi se janë në luftë edhe kundër organizatave terroriste duke filluar nga PKK, PYD, YPG dhe DEASH. Yıldırım tha se “Kjo luftë nuk duhet të jetë vetëm problem i yni. Kjo luftë është një problem i gjithë njerëzimit. Organizatat terroriste DEASH, PKK dhe PYD janë organizata terroriste globale. Ata të cilët nuk interesohen për ta duke thënë se ‘Ata sot nuk po na dëmtojnë neve’ dhe nuk u japin rëndësinë e nevojshme, duhet ta dinë se këta organizata terroriste do t’i lëndojnë edhe ata”

“Nëse OKB nuk arrin të marrë rol aktiv kjo nënkupton se po vdes edhe njerëzimi”

Duke rikujtuar edhe përjetimet në Mianmar, kryeministri Yildirim tha se më shumë se 1 milion persona të Arakanit janë zhvendosur nga vendet e tyre dhe janë dëbuar nga atdheu i tyre. Ai vuri në dukje se fshatrat e muslimanëve në Arakan po digjen dhe se ata po i nënshtrohen pothuajse një spastrimi etnik.

“A ka zë nga Kombet e Bashkuara? Nuk ka asgjë. Kur i ndodh diçka dikujt në një vend tjetër, ata takohen menjëherë dhe marrin vendime. Fillojnë me sanksionet. Por, janë 1 milion njerëz, disa po mbyten në det, disa po vdesin brutalisht kur po digjen shtëpitë e tyre, disa detyrohen të strehohen në Bangladesh. Po shohin çdo lloj të persekutimit, por bota hesht… Nëse OKB nuk arrin të marrë rol aktiv në një vend ku njerëzit vdesin, atëherë kjo nënkupton se nuk po vdesin vetëm njerëzit porse po vdes edhe njerëzimi”, tha Yildirim./RtvDrita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi