Yagcilar: Rruga e vetme për Kosovën është ajo drejt BE-së

Ministri i Administratës Publike i Republikës së Kosovës, Mahir Yagcilar, në pritjen tradicionale për fillimin e vitit të ri të organizuar nga kjo ministri, prezantoi të arriturat e vitit të kaluar dhe objektivat e këtij institucioni për vitin 2018.

Yagcilar, në adresimin e tij para të pranishmëve, deklaroi se Ministria e Administratës Publike ka qenë dhe duhet të vazhdojë jetë promotor i reformave, si dhe shembull i zbatimit të risive në administratën publike nga aspekti i qeverisjes së mirë dhe nga ai i përdorimit të teknologjisë dhe standardeve moderne, bazuar në praktikat më të mira të Bashkimit Europian (BE).

Ai poashtu foli edhe për arritjet e këtij institucioni, ku përmendi edhe nënshkrimin e kontratës për Reformën Sektoriale me BE-në të vitit 2017, për të cilën tha se kap shumën prej 22 milion eurove. Duke veçuar përkrahjen financiare të drejtpërdrejt nga Komisioni Europian, Yagcilar theksoi se kjo përkrahje po realizohet për herë të parë në buxhetin e shtetit ndaj një sektori të caktuar.

Më tej, ai foli edhe për modernizimin e administratës publike, duke njoftuar se në drejtim të qeverisjes elektronike të Ministrisë së Administratës Publike është zhvilluar Platforma e Ndërveprimit. Me këtë platformë, tha ai, mundësohet përmirësimi dhe avancimi i proceseve qeveritare duke ulur koston, menaxhuar performancat, krijuar lidhje funksionale brenda qeverisë, si dhe duke i lidhur në një rrjet të gjitha zyrat qeveritare në mënyrë që të krijohet koordinim në mes tyre

Ministri Yagcilar, në fund të adresimit të tij tha se rruga e vetme për Republikën e Kosovës është ajo drejt BE-së, si dhe theksoi se institucioni që drejton ai do të vazhdojë të punojë në përmbushjen e standardeve të BE-së./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi