Xhaferi: Institucionet e kanë për detyrë të sigurojnë kushte për zgjedhje korrekte

Shkup

“Me fat ditën e zgjedhjeve. Le të jenë të ndershme dhe me dinjitet! Le të fitojë zëri i popullit”, tha sot kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi në konferencën për media me rastin e nënshkrimit të vendimit për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të cilat do të mbahen më 12 prill, (AA).

Xhaferi tha se ka nënshkruar aktvendimin për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare në bazë të Nenit 12, paragrafi (2) të Kodit zgjedhor dhe është dërguar në Komisionin Shtetëror të Zgjedhjeve.

Duke theksuar se liderët e kthyen mandatin tek qytetarët, Xhaferi tha se institucionet e kanë për detyrë të sigurojnë kushte për zgjedhje korrekte, të lira dhe demokratike.

“Apeloj tek të gjithë pjesëmarrësit në këtë proces zgjedhor, parti politike, anëtarë partiakë, anëtarët të Këshillave Zgjedhorë dhe Komisioneve Komunale Zgjedhore dhe më e rëndësishmja, mediat, të jenë në lartësi të detyrës, të kontribuojnë që dita e zgjedhjeve të jetë ditë solemne dhe një shtojcë pozitive në Raportin për përparimin e vendit që duhet të publikohet në mars me çka do të japim kontribut të rëndësishëm në rezultatin pozitiv të Samitit në Zagreb dhe të marrim datë për fillimin e bisedimeve me BE-në”, tha kryeparlamentari Xhaferi.

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut në seacën e djeshme mori vendim për shpërndarje në prag të zgjedhjeve të paralajmëruara të parakohshme parlamentare të caktuara më 12 prill.

Nga gjithsej 120 deputetë, aq sa numëron Kuvendi i Maqedonisë së Veriut, në seancë morën pjesë 117 deputetë, prej tyre 108 votuan “për”, ndërsa nuk kishte të përmbajtur, as kundër.

Kujtojmë se për shkak të kundërshtimit të Francës në Samitin në Bruksel, Këshilli Evropian nuk mori vendim për caktimin e datës për Maqedoninë e Veriut për fillimin e bisedimeve për anëtarësim në Bashkimin Evropian. Kjo solli që presidenti i shtetit, Stevo Pendarovski, të thërrasë takim liderësh, në të cilën liderët e partive politike parlamentare u dakorduan që më 12 prill të këtij viti të mbahen zgjedhje të parakohshme parlamentare.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi