Xhafer Tahiri: Kosovës i duhet koalicioni LDK – VV, modeli i CDU-së dhe SPD-së në Gjermani

KosovaPost ka realizuar një intervistë ekskluzive me kryetarin e Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri. Me të parin e kësaj komune është biseduar edhe për projektet që ka realizuar deri më tani dhe ka në plan që t’i realizojë gjatë këtij mandati, mirëpo edhe lidhur me zhvillimet politike në vend. Si një politikan që karrierën e tij politike e ka nisur që në moshë të re, duke u bërë edhe deputet i Parlamentit të Kosovës, e më pas duke e përmbysur rezultatin zgjedhor në zgjedhjet lokale në Vushtrri, Xhafer Tahiri ka marrë në dorëzim një komunë e cila në të kaluarën ishte peng i disa personave, siç shprehet ai. Mirëpo, këto pjesë të intervistës si dhe sfidat e tij në luftën kundër krimit dhe korrupsionit, do të publikohen gjatë ditëve në vijim.

Me të parin e Komunës së Vushtrrisë KosovaPost ka realizuar një bisedë edhe lidhur me zhvillimet politike në nivel qendror. Si një kryetar nga radhët e LDK-së që bashkëqeverisë edhe me Lëvizjen Vetëvendosje, Tahiri është dëshmi konkrete e funksionimit të një bashkëpunimi të tillë.

KosovaPost: Z. Tahiri, ju karrierën politike e keni filluar si deputet.  Nga këndvështrimi i tanishëm, është më mirë të jesh kryetar komune apo të jeni pjesë e Parlamentit të Kosovës, sidomos nëse kemi parasysh zhvilimet e fundit politike?

Xhafer Tahiri: Unë i kam provuar që të dyja dhe në fakt janë të pakrahasueshme. E ka thënë një kryetar komune më herët diku tjetër, kam lexuar që puna e kryetarit të Komunës bënë që rezultatin ose dështimin e punës tënde ta shohësh brenda ditës, ndërkohë që këtë mundësi nuk ta jep të qenit deputet, sepse aty punon më ngadalë. Kur je në krye të një komune, brenda një dite rezultati të bën të suksesshëm ose të bën të dështosh si kryetarë komune. Prandaj, edhe kërkesa edhe energjia, edhe krejt mundimi që vihet për kryetar komune është i pakrahasueshëm sesa mund që bëjmë si deputet. Komuna është dera e parë e qytetarit, për çdo kërkesë që nga mbeturinat për ujin, për pastrimin e borës… etj

KosovaPost: A ju ka shterur energjitë dhe a e keni menduar mendoni për t’u kthyer si kandidat për deputet në të ardhmen? Apo synoni edhe një mandat të ri si kryetar i Komunës?

Xhafer Tahiri: Aspak, aspak . Jo, në të ardhmen e afërt nuk synojë që të jem në nivelin qendror. I kam koncentruar energjitë që me të vërtetë ta transformojë Komunën e Vushtrrisë, por të transformojë edhe botëkuptimin që ne kemi për qeverisjen lokale. Kjo është ajo që po mundohem ta bëjë, –  për të treguar që kryetari i komunës është i pari në mesin e të barabartëve. Mund të kryejë shërbime për aq sa i lejohen mundësitë, por që nuk është si të thuash mbreti i një komune! Është thjeshtë kryetar që i shërben qytetarëve.

KosovaPost: Si po iu shkon qeverisja me Vetëvendosjen?

Xhafer Tahiri: Kemi një bashkëpunim të mirë. Konsideroj një bashkëpunim korrekt edhe në ekzekutiv, edhe në Kuvend. Dua të besojë që ky bashkëpunim të vazhdojë tutje, derisa sa t’i arrijmë objektivat e përbashkëta të ndryshimit.

KosovaPost: Kjo qeverisje pak i determinon edhe temat qendrore që vazhdimisht po ndërlidhen…

Xhafer Tahiri: Unë kam kërkuar vazhdimisht dhe kam thënë që modeli i Vushtrrisë duhet të përsëritet edhe në nivelin nacional për ta larguar PDK-në, për ta dërguar në opozitë. Duhet një bashkëpunim i LDK-së me Vetëvendosjen.

KosovaPost: Tashmë kemi dy modele të bashkëqeverisjes së LDK’së dhe VV’së në nivel komunal, në Vushtrri dhe Prizren. Sa mund të themi se është e mundshme bashkëqeverisja në nivel qendror, duke e ditur se bëhet fjalë për një forcë të djathë dhe të majtë, me koncepte mjaft të ndryshme, qoftë për zhvillimin e vendit qoftë edhe për nga programi?

Xhafer Tahiri: Bashkëpunimi i LDK-së me Vetëvendosjen është i mundshëm. Mendoj që jo vetëm që është i mundshëm, – është treguar në Vushtrri, po tregohet edhe në Prizren-…  po tregohet në Vushtrri që është i suksesshëm. Dhe jam i bindur që edhe niveli qendror do të tregohej i suksesshëm. Unë shpresoj se liderët e të dy subjekteve politike do të gjejnë urtësinë që të ulen dhe t’i bëjnë kompromiset e nevojshme për t’i dhënë një qeverisje ndryshe, vendit.

KosovaPost: Pasi që edhe një kohë të gjatë keni kaluar edhe aktivitetin tuaj politikë duke u marr me tema të nivelit qendrorë, si i shihni zhvillimet e fundit në vend duke pasur parasysh që tashmë po flitet haptazi skenare të ndryshme që nuk përjashtojnë as korrigjimin e kufijve. Çfarë drejtimi po merr Kosova me këtë qeveri?

Xhafer Tahiri: Mendoj që tema më e dëmshme që është hapur për Kosovën në 20 vitet e fundit, e ndoshta edhe më gjatë, është diskutimi për tërësinë territoriale të Kosovës. Nuk është luftuar për Kosovën copa-copa, as në vitet 90-ta e as në luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk besoj që ky duhet të jetë qëllimi final i shqiptarëve, i njerëzve të Kosovës. Njerëzit e Kosovës duhet ta ruajnë Kosovën ashtu siç është, unike e pa cenueshme në kufijtë që i ka, duke mos hapur tema të rrezikshme siç është kjo e prekjes së kufijve. Unë nuk besojë që në Serbi ka gatishmëri që njëherë e përgjithmonë të zgjidhet çështja me Kosovën. Thjesht, ata nuk kanë interes që të kenë qetësi me Kosovën. Kosova sa më shumë të vazhdojë kësi soji dhe të hap këso lloj temash të panevojshme, është fitore për ata, është fitore në kohë, është fitore në strategji , fitore në çdo gjë tjetër.

KosovaPost: Pse po mendoni që kaq lehtë mund ta realizojnë serbët qëllimin e tyre?

Xhafer Tahiri: Unë mendoj që kemi të bëjmë me politikanë që kanë vendosur interesin personal para interesin nacional.

KosovaPost: Çfarë interesi personal mund të jetë ndarja e Kosovës?

Xhafer Tahiri: Nuk është ndarja e Kosovës interes personal, janë interesa tjera që shtyhen krahas këtij interesi. Unë nuk dua të përmendi emra, por ata e dinë vet.

KosovaPost: E kemi presidentin e shtetit i cili e ka plasuar në opinion këtë ide. Është përkrahur jo pak edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Por, kryeministri i Kosovës ka qenë kundër një skenari të tillën. Mirëpo, tash kemi edhe një delegacion shtetëror i cili pranon haptazi që nuk është i informuar në tërësi rreth asaj se çka bisedohet brenda zyrave të mbyllura me Mogherinin, delegacion që kohëve të fundit nuk i ka pritur as në takim Mogherini, por këshilltarët e saj.

Xhafer Tahiri: Mendoj që është një nënçmim i madh i delegacionit të Kosovës, delegacionit shtetëror që është votuar në Kuvendin e Kosovës që të shkojë në Bruksel dhe të takohen me një këshilltar të Mogherinit. Është nënçmim për Kosovën dhe nuk do të duhej ta vendosin Kosovën këta njerëz në këtë pozitë. Kur ulesh në tavolinë bisedimesh, përfaqëson një popull të tërë, nuk përfaqëson vetëm vetveten. Dhe të ulesh me një këshilltar në tavolinë, kur ke marr mandatin nga Kuvendi për të qenë në ekip negociator, nuk shkon. Thjesht, e ke dëmtuar Kosovën në mënyrë të pakthyeshme, e ke ulë nivelin e bisedës me Kosovën. Unë mendoj që duhet ruajtur miqësinë e përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Ne duhet ta ruajmë partneritetin me Bashkimin Evropian. Orientimi pro evropian i Kosovës është fitorja më e madhe e jona si komb, si njerëz, si popull i Kosovës. Por, kjo në asnjë mënyrë nuk dmth që ne duhet ta nënçmojmë vetveten… Ideja e lëvizjes së kufijve është e ide Ballkanike, nuk është ide perëndimore. Këtë e kanë thënë qartë edhe shtetet mike të Kosovës, si Gjermania.

KosovaPost: Ka zëra që thonë se ideja për ndarjen e Kosovës është ide e akademisë së Serbisë. Dhe, pse duhej të ndodhte tërë ajo tragjedi nëse në fund do të propozohej një zgjidhje e tillë?

Xhafer Tahiri: Për Serbinë kërkesa maksimaliste ka qenë që Kosova kurrë të mos ketë liri. Pas kësaj është që Kosova të mos jetë funksionale. E, pas kësaj që Kosova të copëtohet. E kuptoni si shkojnë duke u gërshetuar.

KosovaPost: Si mund të parandalohet copëtimi i Kosovës?

Xhafer Tahiri: Unë mendoj vetëm me një aktivizëm qytetarë, me një ndryshim të qeverisjes në Kosovë.

KosovaPost: A është e gatshme LDK-ja për zgjedhje?

Xhafer Tahiri: Po, LDK-ja është e gatshme gjithmonë për zgjedhje.

KosovPost: A do të garonte e vetme apo në ndonjë koalicion parazgjedhor?

Xhafer Tahiri: Unë mendoj që të gjitha duhet të analizohen kur të vijnë zgjedhjet dhe të shohim se varësisht si sillen partitë e tjera duhet të sillet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës. Nëse kemi  koalicione, grupime politike në një krah, duhet të ketë grupime politike edhe në krahun tjetër.

KosovaPost: Por, ne kemi pasur përvojen në zgjedhjet e kaluar kur ndodhi koalicioni para mesit të natës? Ishte një taktizim i suksesshëm në arritjen e qëllimit për të qenë në qeveri.

Xhafer Tahiri: Për të qenë të sinqertë, unë prapë mendoj se PAN-i, (PDK-AAK-NISMA) do të shkojnë sërish bashkë në zgjedhjet e ardhshme .

KosovaPost: Dhe në këtë rast edhe LDK-ja apo cili do subjekt tjetër politik do të ishte më i brishtë karshi disa forcave…

Xhafer Tahiri: Natyrisht. Prandaj duhet të thyhen barrierat që mos të mbesim në linja rigjide, edhe me Vetëvendosjen, edhe me subjektet e tjera që mund të përafrohemi, por jo me PDK-në.

KosovaPost: Po pse atëherë nuk ndërmerrni iniciativa për të qenë një trup i përbashkët, si do të duhej të ndodhte kjo?

Xhafer Tahiri: Ne kemi parë Gjermaninë që përballë rreziqeve që e kanë kanosur shtetin nga fryma ekstreme brenda Gjermanisë, u bë koalicioni i madh mes të djathtëve dhe të majtëve. Dhe kur gjermanët mund të bashkohen për interesa të shteteve, pse ne nuk mund të bashkohemi për interesa të shtetit, edhe pse e ruajmë secili veçorinë tonë të djathtë dhe të majtë. Për katër vite me radhë në Gjermani ka qenë koalicioni i madh CDU – SPD.

KosovaPost: Shpeshherë palët kundërshtare ngaqë e parashohin rrezikun nga një koalicion i tillë, thonë se LDK dhe Vetëvendosje do të prishen për karrigen se kush do të jetë kryeministër. Sa është e qëndrueshme kjo?

Xhafer Tahiri: Unë dua t’i besojë të të ardhmes dhe jo të kaluarës tonë. Por, nëse gjykojmë në bazë të së kaluarës, vërtetë ka ndodh që njerëzit dhe marrëveshjet  të prishen për shkak të karrigeve. Dhe unë besoj që njerëzit duhet të shohin nga e ardhmja dhe do ta shohin që e ardhmja është më e mirë. Nëse bashkëpunojmë dhe nëse arrijmë t’i afrojmë qëndrimet, andaj më vjen mirë që të shoh se edhe z. Mustafa edhe z.Kurti kanë takime të rregullta dhe kanë komunikim të rregullt. Prapë po e them që nuk është model që nuk është provuar në demokracitë perëndimore i të djathtëve dhe të majtëve. CDU dhe SPD kanë qeverisur së bashku në Gjermani./KosovaPost

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi