Xhafaj: Ndërhyrjet në lumenj e kanalizime, përkeqësojnë situatën

Në mbledhjen e Komitetit për Koordinimin dhe Menaxhimin e Emergjencave Civile, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj deklaroi se jo vetëm reshjet e dendura janë fajtore për situatën e krijuar.
Xhafaj tha se në terren, Policia e Shtetit ka vënë re ndërtime paleje dhe ndërhyrje të paligjshme në lumenj e kanalizime.

Ministri i Brendshëm tha se të gjitha strukturat duhet të reagojnë pas tejkalimit të krizës.
“Duhet të bëjmë një vëzhgim në terren, për përgjegjësitë administrative dhe penale, por edhe barrën e përgjegjësisë civile”, u shpreh ai.

Ndërkohë, ministri i Energjitikës, Damian Gjiknuri tha se OSHEE ndodhet në krye të detyrës dhe këtë e ka bërë edhe me kosto njerëzore, ndërsa shtoi se investimet e bëra me linjat dytësore të furnizimit për hidrovoret kanë dhënë rezultat duke shmangur përmbytjet në shumë zona.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se të gjitha spitalet dhe qendrat spitalore janë në gatishmëri të plotë, ndërkohë që specialistët e shëndetësisë janë duke monitoruar edhe cilësinë e ujit të pijshëm.

Lindita Nikolla, ministre e Arsimit tha se 191 institucione arsimore kanë pësuar dëmtime nga reshjet, ku më të prekura janë qarqet e Gjirokastrës dhe Korçës.
Ajo tha se situata po monitorohet dhe se ministria do të njoftojë në vazhdim në lidhje me procesin mësimor të hënën. Nikolla vlerësoi gjithashtu edhe rolin e Prefektëve të rinj. Ajo tha se profili ushtarak i tyre ka dhënë rezultate në menaxhimin e krizës./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi