Vrasja e Khashoggit, kryeprokurori turk: U mbyt dhe u copëtua

“Jamal Khashoggi është mbytur menjëherë pasi ka hyrë në Konsullatën saudite në Stamboll, e më pas trupi i tij u përçudnua si pjesë e një plani të paramenduar”, tha kryeprokurori turk këtë të mërkurë, duke bërë publike detaje të vrasjes për të parën herë.

Zbardhja e ngjarjes vjen vetëm disa orë, pasi kryeprokurori saudit u largua nga Stambolli dhe zyra e homologut të tij turk tha se ishte e detyruar të zbulonte detajet, pasi bisedimet nuk kishin dhënë rezultate konkrete.

Sipas raporteve të mëhershme të medies turke, Khashoggi, një bashkëpunëtor 59-vjeçar i “Washington Post”, kritik ndaj qeverisë saudite, u vra dhe u pre në copa nga një ekip i dërguar nga Rijadi për t’i mbyllur gojën atij. Trupi i tij nuk është gjetur.

Rijadi dërgoi kryeprokurorin në Stamboll, në përpjekje për t’i vënë kapak një krize që ka tërhequr vëmendjen në mënyrë të paprecedentë mbi Arabinë Saudite.

Sidoqoftë, zyrtarët turq thanë se homologët sauditë dukeshin më të interesuar të zbulonin se çfarë provash kishte Turqia kundër autorëve. Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan u ka kërkuar sauditëve të zbulojnë se ku ndodhet trupi i Khashoggit dhe kush e urdhëroi vrasjen e tij./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi