“Viti 2018 është një mundësi e artë për BE-në dhe Ballkanin Perëndimor”

 

 

Ministri sllovak në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Çështjeve Evropiane, Ivan Korçok, ka vizituar Shqipërinë, ku në një konferencë për mediat me homologun e tij Ditmir Bushati, theksoi se Ballkani Perëndimor po pret të lidhë të ardhmen e tij me atë të familjes evropiane.

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ditmir Bushati, takoi në Tiranë homologun e tij të Sllovakisë, ku në fokus të bisedimeve të tyre ishin mbështetja e Sllovakisë ndaj procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, procesi i zgjerimit të BE-së në tërësi, thellimi i bashkëpunimit dypalësh dhe çështje të tjera.

Ministri Bushati theksoi se “Procesi i transformimit dhe i demokratizimit kanë një lidhje të drejtpërdrejtë edhe me axhendën e integrimit evropian. Viti 2018 është një dritare e artë, një mundësi e artë për Bashkimin Evropian dhe Ballkanin Perëndimor përfshirë Shqipërinë, por jo vetëm, për të avancuar”.

Ndërsa ministri sllovak, Korçok, u shpreh se “Pas një dekade vështirësish, pasi kemi kaluar vazhdimisht teste, BE-ja, më në fund, mund të mendojë jo vetëm për një axhendë të brendshme, por edhe për aspiratat e Ballkanit Perëndimor, i cili po pret të lidhë të ardhmen e tij me atë të familjes evropiane, dhe ne e vlerësojmë këtë. Ju e dini për çfarë keni nevojë dhe viti 2018 ofron një perspektivë të mirë. “.

Kjo vizitë përkon me 25-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve Shqipërisë dhe Sllovakisë.

Kryediplomati sllovak është parashikuar që nesër të takohet me presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi