Vetëvendosja e shqetësuar: Në negociata pa përfaqësues të Luginës e rezoluta pa reciprocitet

Lëvizja Vetëvendosje mbajti konferencë për media në lidhje me mospërfaqësimin e Kosovës Lindore në negociata me Serbinë. Në konferencë foli deputeti dhe anëtari i Kryesisë Liburn Aliu, i cili komentoi takimin e paralajmëruar që mbahet nesër në Bruksel, siç thotë ai, mes të ashtuquajturit ‘delegacion shtetëror’ dhe ndërmjetësuesve të bisedimeve.

“Duke u mbështetur në rezolutën e miratuar në Kuvendin e Kosovës, ku nuk figuron fare fjala reciprocitet, ‘delegacioni shtetëror’ po e thellon këtë proces dialogu disa vjeçar në të cilin Kosova vazhdimisht ka bërë kompromise me kërkesat e Serbisë ndaj saj”, tha Aliu.

Për të vënë në pah përmasën mospërfaqësuese të delegacionit deputeti Aliu u shpreh se “Si bëhet që në të ashtuquajturin ‘delegacion shtetëror’ të Kosovës kemi aq shumë përfaqësues partish që s’e kalojnë pragun zgjedhor, mirëpo aty nuk janë përfaqësuesit e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit? Pse në delegacion të mos jenë kryetari i Preshevës, kryetari i Bujanocit, kryetari i Këshillit Nacional Shqiptar, deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, dhe asamblisti shqiptar në Medvegjë?”.

“Edhe në vetë letrën dërguar Presidentit Thaçi, delegacionit të Kosovës dhe Shefes së politikës së jashtme të BE-së nga disa prej përfaqësuesve politik të Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit mungon kërkesa për t’u bërë pjesëmarrës në dialog dhe kërkesa e mëhershme për reciprocitet. Madje, edhe mbi idenë e bashkimit të Kosovës Lindore me Republikën e Kosovës Presidenti dhe përfaqësuesit e Luginës nuk kanë nënshkruar asnjë marrëveshje për këtë ide të dakortësuar mes tyre”, tha deputeti Liburn Aliu.

Ai tha se po ashtu, edhe në draft marrëveshjen finale të kryeministrit Haradinaj nuk përmendet çështja e shqiptareve të Luginës dhe reciprociteti me Serbinë.

“Kjo draft marrëveshje iu dorëzua znj. Mogherini duke i bërë të qartë gatishmërinë për kompromis të mëtejshëm ndaj Serbisë dhe mosinteresim për shqiptarët e Luginës. Presidenti dhe i ashtuquajturi ‘delegacion shtetëror’ përfaqësojnë më shumë vullnetin për pushtet sesa vullnetin e përgjithshëm të shqiptarëve”, përfundoi Aliu.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi