Veseli pranoi raportin e Komisionit Europian për Kosovën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, priti sot në takim Shefen e Zyrës së Bashkimit Europian në Kosovë/Përfaqësuesen e Posaçme e BE-së, Nataliya Apostolova, nga e cila pranoi raportin e Komisionit Europian për Kosovën.

Veseli e falënderoi zonjën Apostolova për dorëzimin e raportit, duke theksuar se nëpërmjet këtij raporti, Bashkimi Europian vlerësoi të arriturat e Kosovës në shumë fusha të rëndësishme dhe rikonfirmoi perspektivën e sigurt evropiane të Kosovës.

Kryeparlamentari Veseli tha se qytetarët dhe institucionet e Kosovës besojnë në projektin e Bashkimit Europian dhe po punojnë në vazhdimësi për të përmbushur kriteret e nevojshme që sa më parë edhe Kosova të bëhet pjesë e familjes europiane.

Kreu i Kuvendit të Kosovës, po ashtu ka theksuar se institucionet kosovare tashmë i kanë plotësuar të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe shprehu bindjen se gjatë këtij viti institucionet përkatëse të Bashkimit Europian do të marrin vendimet e duhura për të mundësuar lëvizjen e lirë e pa viza për qytetarët e Kosovës në Zonën Shengen.

Kryeparlamentari Veseli është zotuar se të gjitha të gjeturat e raportit do të adresohen me kohë dhe institucionet e vendit do të vazhdojnë rrugën e reformave të nevojshme.

“Institucionet e Kosovës do t’i adresojnë edhe sfidat që janë identifikuar në raportin e Komisionit Europian, pasi vetëm kështu forcojmë dhe ndërtojmë të ardhmen evropiane për qytetarët tanë”, theksoi Veseli./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi