Veseli në SEECP: Qëllimi kryesor i Kosovës është anëtarësimi i plotë në BE

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, ka thënë se Kosova është duke përmbushur kriteret e nevojshme europiane dhe me përkushtim të plotë po punon për arritjen e qëllimit kryesor, anëtarësim të plotë në Bashkim Europian.

Këto komente, kryeparlamentari Veseli i bëri në punimet e Sesionit të Pestë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Europës Juglindore që po mbahet në Lublanë të Sllovenisë.

Në fjalën e tij para homologëve të vendeve të ndryshme të rajonit dhe parlamentarëve të tjerë, kryeparlamentari Veseli dha një pasqyrë të zhvillimeve aktuale në Kosovë dhe foli për hapat konkretë që vendi ka ndërmarrë në përmbushjen e kritereve për të ecur më shpejt në rrugën e integrimit euro-atlantik.

Veseli tha se perspektiva e integrimit në Europën Juglindore mbetet një objektiv i fortë strategjik dhe se Kosova është një nga vendet që tërheq më së shumti vëmendjen nga BE dhe NATO, për shkak të sfidave komplekse të brendshme dhe marrëdhënieve të fqinjësisë.

“Edhe pse jemi në fillimin e udhëtimit tonë drejt BE-së, po përparojmë duke zbatuar Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit. Ne po punojmë për të finalizuar dialogun dhe për të normalizuar marrëdhëniet tona me Serbinë, bazuar në një marrëveshje ligjore detyruese, e cila është urgjente dhe vendimtare për rrugën evropiane”, theksoi kryeparlamentari Veseli.

Në vazhdim, kryetari Veseli foli për miratimin e Marrëveshjes për caktimin e kufirit me Malin e Zi, përkushtimin e institucioneve gjegjëse dhe hapat për luftimin e korrupsionit dhe krimit të organizuar.

“Kosova është në fund të procesit për të siguruar lirinë e lëvizjes në zonën Shengen për qytetarët tanë. Megjithatë, për ne qëllimi kryesor është padyshim anëtarësimi i plotë në BE dhe ne do të ndërmarrim të gjitha veprimet e nevojshme për ta arritur atë”, tha Veseli.

Kreu i Kuvendit të Kosovës shtoi në vazhdim se politika e zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor është një hap i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, e cila, duke vepruar kështu, sipas Veselit, riafirmon një rol esencial në Ballkanin Perëndimor në mbështetjen e përpjekjeve për demokratizim dhe normalizimin e marrëdhënieve rajonale.

“Është e rëndësishme që pavarësisht skepticizmit, ne duhet të besojmë në projektin e BE-së, që është provuar si alternativa më e mirë për Evropën dhe botën. Nga ana tjetër, vendimmarrësit politikë në Ballkanin Perëndimor duhet të rrisin ndërgjegjësimin e tyre se, veçanërisht në kohët e shënuara nga pasiguritë e mëdha në nivel global dhe evropian, marrëdhëniet konstruktive dhe në rastin më të mirë – fqinjësia e mirë, janë mënyra e vetme për të siguruar përparim të begatë për të gjitha vendet e Europës Juglindore”, theksoi Veseli.

Në emër të Kuvendit të Kosovës në këtë sesion po marrin pjesë edhe deputetët: Zenun Pajaziti, Avdullah Hoti, Glauk Konjufca dhe Ismajl Kurteshi. Kosova merr pjesë në mënyrë të përhershme në aktivitetet dhe takimet e SEECP/PBEJL-së, në të gjitha nivelet dhe në kushte të barabarta, ndërsa në vitet 2019/2020 do ta kryesojë SEECP-në./Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi