Veseli: Italia në krah të Kosovës në rrugën drejt integrimeve euroatlantike

 

Italia e ka mbështetur dhe do të vazhdojë ta mbështesë Kosovën në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.

Kështu deklaroi të martën Presidentja e Senatit të Italisë, Maria Elisabetta Alberti Casellati, gjatë një takimi me Kryeparlamentarin e Kosovës, Kadri Veseli, me të cilën biseduan për zhvillimet politike, perspektivën evropiane të Kosovës dhe marrëdhëniet bilaterale.

Kryetarja e Senatit italian tha se përpos bashkëpunimit politik dhe atë në fushën e sigurisë, Italia do ta mbështesë Kosovën edhe më shumë në fushën e ekonomisë.

“Unë do të jem zëri i Kosovës tek korporatat e mëdha italiane që të vijnë e të investojnë në Kosovë”, – tha ajo.

Ndërsa Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se vendi i tij i konsideron vlerë të veçantë raportet shumë të mira që ka ndërtuar me shtetin italian. Ai tha se këto raporte kanë ndikim pozitiv në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike.

Më tej, Veseli tha se Kosova i ka plotësuar tashmë të gjitha kriteret për liberalizimin e vizave dhe është në prag të marrjes së vendimit pozitiv nga ana e BE-së, ndërsa, siç tha ai, qëndrimi i Italisë në këtë proces është shumë i rëndësishëm.

Të dy homologët u dakorduan që marrëdhëniet midis dy parlamenteve të forcohet dhe thellohen edhe më tej në të gjitha nivelet e bashkëpunimit parlamentar. Në fund të këtij takimi, Presidentja e Senatit italian e ftoi Kryeparlamentarin Veseli për vizitë zyrtare në Romë, citon “Kosova Press”. /ATSH

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi