Veseli: Diasporën nuk duhet ta shohim si fitimprurëse, por si potencial për zhvillim

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli ka pritur të premten përfaqësues të diasporës nga shumë vende të botës, të cilët me mbështetjen e kryeparlamentarit Veseli po qëndrojnë në Prishtinë.

Takimi është organizuar nga Kuvendi i Republikës së Kosovës në bashkëpunim me organizatën Germin.

Gjatë adresimit në seancë solemne para përfaqësuesve të diasporës, Kryeparlamentari Veseli tha se diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

Fjalimi i plotë kryeparlamentarit Veseli:

Të nderuar deputetë

Të nderuar bashkatdhetarë, që sot na keni nderuar me prezencën tuaj në Kuvendin e Kosovës

Mirë se erdhët në Kuvendin e Kosovës. Kjo është një seancë e veçantë, me të cilën po vendosim një praktikë shumë të dobishme për institucionet e vendit, për qytetarët tanë, e në veçanti për bashkatdhetarët tanë në diasporë. Diaspora ka qenë gjithmonë shtyllë e rezistencës dhe lirisë së Kosovës.

Që nga Rilindja Kombëtare e deri në ditët e luftës për çlirimin e Kosovës, të gjitha projektet e mëdha të kombit tonë kanë filluar në mesin e diasporës sonë. Pa diasporën, Kosova sot nuk do të ishte këtu ku është.

Sot, ajo është shtyllë e ekonomisë dhe shtetit të Kosovës, prandaj shteti i Kosovës ka obligime të mëdha ndaj bashkatdhetarëve tanë, kudo që ata jetojnë e punojnë nëpër botë.

Ne kemi një diasporë që rrallë ndonjë popull në botë e ka. Lidhjet e saj me vendlindjen janë të fuqishme, por sot rrethanat kanë ndryshuar. Nevojat janë të tjera: tjera sfida kemi përpara dhe kjo nënkupton edhe qasje të reja.

Ka ardhur koha që ne të lëvizim përtej të kuptuarit të diasporës thjesht si fuqi e remitencave për familjet tona dhe si kategori e mallit për vendlindjen. Sot, njerëzit tanë në diasporë janë të integruar në trendet më të avancuara të zhvillimit dhe të dijes.

Ata janë investitorë dhe menaxherë kompanish të mëdha. Janë drejtorë bankash, e sipërmarrës të suksesshëm. Janë intelektualë, ekspertë e përfaqësues institucionesh shtetërore. Zëri i tyre dëgjohet gjithandej botës, e lista e sukseseve të tyre është e gjatë. Kjo na bënë krenarë.

Diaspora jonë përbën një potencial të madh, nga i cili mund dhe duhet të përfitojë Kosova. Kjo mund të arrihet duke ndërtuar komunikim praktik institucional me njerëzit tanë në diasporë, me idetë e tyre dhe me potencialin e tyre investiv.

Ministria e Diasporës, në kuadër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, është duke bërë një punë të mirë, por gjithsesi të pamjaftueshme. Është urgjente që potenciali investiv i diasporës të vendoset si prioritet i lartë në strategjitë zhvillimore të Kosovës. Njëkohësisht, në secilin institucion të vendit, duhet ta vendosim parimin e dyerve të hapura për projektet dhe idetë që vijnë nga njerëzit tanë në diasporë. Në radhë të parë, kjo nënkupton politikën – Zero barriera burokratike për diasporën.

Qëllimi ynë final si shtet – është integrimi në strukturat ekonomike, politike dhe ushtarake të botës perëndimore, dhe është përparësi fakti se njerëzit tanë në diasporë jetojnë, veprojnë e krijojnë pikërisht në kushtet e kësaj bote. Janë pjesë integrale e zhvillimit të saj. Sot kemi një rast të shkëlqyeshëm që në Kuvendin e Kosovës të dëgjojmë një pjesë të ideve të tyre.

Ju faleminderit!​

/Kosova Post/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi