Veriu nën hijen e zgjedhjeve: PDK synon fitore

Dy parti shqiptare do të marrin pjesë në zgjedhjet që do të mbahen në katër komunat e veriut.

Përveç Listës Serbe, edhe Vetëvendosje e PDK i janë futur garës për të qeverisur me ndonjërën nga këto katër komuna të pjesës veriore të Kosovës.

Megjithëse këto komuna janë të banuara me shumicë totale serbe, partitë shqiptare nuk është se nuk i kanë pritshmëri të mëdha për rezultatin përfundimtar.

Kandidatja e PDK-së për Mitrovicën e veriut, Gonxhe Çaushi, thotë për lajmi.net se ajo pret që numri i votuesve shqiptar në veri të rritet.

Madje ajo shpreson se PDK-ja do të dalë fituese në këto zgjedhje.

“Unë pres që numri i votuesve shqiptarë të rritet në pjesëmarrje, marrë parasysh që një pjesë e serbëve nuk do të dalin në zgjedhje. Unë pres fitore në një proces të rregullt dhe demokratik. Po ashtu, pres që edhe komunitetet tjera, përfshirë edhe ata serbë të ma besojnë votën dhe të dalin të votojnë”, ka thënë ajo.

Ajo thotë se PDK-ja në Mitrovicën e veriut është subjekti më i madh, dhe se është i vetmi që ka dy asamblistë falë besimit të qytetarëve dhe punës së tyre.

Tutje, sipas saj qëllimi i PDK-së është ndërtimi i shtëpive dhe kthimi i shqiptarëve në pronat e tyre të uzurpuara.

“PDK-ja ka qenë e vetmja parti e cila sa ka qenë në pushtet në Mitrovicën e jugut që ka treguar interes edhe për veriun. Kjo dëshmohet në mënyrë faktike edhe me ndërtimin e mbi 200 shtëpive, dhënien e bursave e transportit pa pagesë”, ka thënë Çaushi për lajmi.net.

E pritshmëri më të vogla se PDK-ja në këtë proces zgjedhor ka partia tjetër shqiptare Vetëvendosje.

Deputeti i këtij subjekti, Ismajl Kurteshi për lajmi.net thotë se pritshmëria për fitore eventuale është e vogël kur dihet përbërja e popullsisë atje.

Ai kritikon edhe institucionet që pas dëbimit të shqiptarëve në veri, askush nuk është marrë më me këtë çështje.

“Normalisht që kishim dashtë me fitu në njërën nga këto komuna, mirëpo kur dihet përbërja e popullatës atje, përafërsisht dihen edhe rezultatet. Pas dëbimit të vonshëm të shqiptarëve pas luftës, tash shqiptarët atje janë në pakicë, pra janë shumë pak për të shpresuar që do ta fitojmë ndonjë komunë. Është me rëndësi që me qenë pjesë e garës dhe në fund të fundit të shihet se cila është forca elektorale e shqiptarëve në atë pjesë”, thotë Kurteshi për lajmi.net.

Theksojmë, se katër komunat e veriut mbetën pa  udhëheqës pas vendimit për dorëheqjen e katër kryetarëve serbë.

Sido qoftë, kryetarët e larguar ani pse nuk shkuan asnjë ditë në punë për katër muaj i morën paga dhe i kushtuan buxhetit të shtetit hiç më pak se 20 mijë euro.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi