“Vendimi i Trump-it dëmton besimin ndaj rendit ndërkombëtar”

Kancelarja gjermane Angela Merkel tha se vendimi i presidentit të SHBA-ve Donald Trump për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore me Iranin dëmton besimin ndaj rendit ndërkombëtar.

Merkel gjatë fjalimit në një aktivitet në qytetin Münster tha se vendimi i SHBA-ve për t’u tërhequr nga marrëveshja bërthamore ka shkaktuar shqetësim dhe pikëllim.

Ajo tha se kjo marrëveshje ka dalë pas një angazhimi 12 vjeçar. “Marrëveshja nuk është e përsosur dhe se ekzistojnë çështjet tjera që mund të krijojnë shqetësim në lidhje me Iranin, si programi për raketa balistike dhe roli i Iranit në Siri”, tha Merkel.

Megjithatë, sipas saj, nuk është e drejtë tërheqja e njëanshme nga marrëveshja bërthamore mbi të cilën është pajtuar dhe e cila është miratuar unanimisht në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. “Kjo dëmton besimin ndaj rendit ndërkombëtar”, thotë kancelarja gjermane.

Duke vënë theksin edhe tek zhvillimet në Jemen, Merkel thotë se “Ne jemi përqendruar shumë në Siri. Në Jemen ndoshta 15 deri në 17 milionë persona vuajnë nga uria. Kjo është një fatkeqësi e pabesueshme. Këtu në masë të madhe përgjegjësi ka edhe Irani”.

Merkel poashtu foli edhe për situatën në Ukrainë duke shtuar se është brengosëse mosarritja e një zgjidhjeje për këtë çështje.

Kancelarja gjermane theksoi se është parandaluar rritja e tensioneve në Ukrainë. “Por, nuk ndodhi një armëpushim i vërtetë. Pothuajse çdo natë ushtarë ukrainas humbin jetën. Për këtë arsye duhet vazhduar punën. Duhet të vazhdojnë bisedimet. Bisedimet, edhe pse ndonjëherë nuk sjellin sukses menjëherë, besoj se janë një nga mjetet shumë të rëndësishme”./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi