Vendimi: godinat e reja pa kabllo në ajër, por nën tokë

 

 

Çdo godinë e re që do të ndërtohet duhet të krijojë hapësirën e nevojshme për rrjetin e internetit me shpejtësi të lartë. Kjo nënkupton se pallatet e reja, apo godinat për zyra e biznese duhet të pajisen me një infrastrukturë të brendshme që lejon instalimin e fibrave optike dhe kabllove të ndryshëm deri tek përdoruesi.

Këshilli i Ministrave ka bërë gati një projektvendim që parashikon masat e mësipërme dhe tashmë pret fazën e konsultimit publik.

Ndër ndryshimet më të mëdha që prek ky vendim është edhe e drejta e barabartë e operatorëve të komunikimeve elektronike për përdorimin e infrastrukturës fizike në godinë. Kjo do të thotë se administratorët e pallateve të reja nuk mund t’u mohojnë kompanive në bazë të preferencave ofrimin e shërbimit të internetit për banorët e pallatit.

Vendimi parashikon obligime edhe për operatorët, të cilët duhet të shtrijnë rrjetin kabllor jashtë godinës vetëm nëpërmjet tubacioneve nën tokë. Linjat ajrore do të lejohen vetën në raste të justifikuara, shkruan scan.tv.

Krahas godinave të reja, obligimi do të zbatohet edhe në godinat e vjetra në momentin që ato i nënshtrohen rikonstruksionit.

Përjashtohen nga detyrimi për të ndërtuar pikën e aksesit ndërtesat e Ministrisë së Mbrojtjes, ndërtesat në listën e monumenteve kulturore, ato në zona të izoluara dhe të largëta, shtëpitë e pushimit, hangarët, serat, garazhet, magazinat dhe godinat e tjera që nuk kanë për qëllim fjetjen.

Përmes këtij vendimi pritet të zvogëlohen barrierat e përdoruesve shqiptarë për akses në internet me shpejtësi të lartë mbi 30 Mbps. Aktualisht Shqipëria renditet e parafundit në Europë për shpejtësinë mesatare të rrjetit, me 12.45 Mbps, ndërkohë që parakalohemi nga fqinjë si Bosnja, Maqedonia dhe Serbia.

© SYRI.net

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi