Veliaj: “Shtatë familje që preken nga projekti i Unazës janë paraqitur për të marrë bonusin e qirasë”

“Lajm i shkëlqyer që shtatë familjet e para që preken nga projekti i Unazës janë paraqitur për të marrë bonusin e qirasë; PS mund të fitojë vetëm, pa kapsolla”, tha kryebashkiaku Erion Veliaj.

Ai nënvizoi se sikurse është vepruar edhe në projekte të tjera të ngjashme, edhe për rastin e banorëve të Unazës së Re, do të ofrohet një paketë sociale.

“Partia Socialiste është e vetmja që ndërhyrje të tilla i bën me një paketë sociale. Në rastin e Unazës së Re është shumë inkurajuese që banorët e vërtetë, jo mitingashët, jo ata që vijnë me autobusë nga Kamza për lodrat dhe për teatrin nga Mamurrasi, pra është një lajm i shkëlqyer që ata që kanë letrat e pronës po shkojnë te ARRSH për të marrë kompensimin. Kjo është e vetmja forcë në qeveri edhe në bashki që ka një ofertë sociale”, tha ai.

Pas protestës së dhunshme të një dite më parë, në zyrat e Bashkisë së Tiranës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar janë paraqitur të tjera familje për të aplikuar mbi përfitimin e bonusit të qirasë për tre vite apo shpronësimin e pronës. “Shtatë familjet e para i falenderoj për besimin që i kanë dhënë Bashkisë së Tiranës. Gjysma e familjeve do të trajtohen nga ARRSH-ja me pagesën ‘cash’ për çfarë vlen prona e tyre dhe gjysma tjetër nga Bashkia e Tiranës, si këta shtatë të parët. Të hënën përgatitemi të presim pjesën tjetër dhe t’u japim një ofertë, ose pagesën, ose një shtëpi sociale”, theksoi Veliaj.

Ai shprehu bindjen se minoranca e zhurmshme nuk do të pengojë shumicën, e cila dëshiron zhvillimin e qytetit.

“Shumica e popullit mund të jetë e heshtur, mund të mos jetë një minorancë e zhurmshme, por kori i njerëzve që duan që vendi të eci përpara, që të zhvillohet, është i madh. Ne mund të fitojmë pa asnjë kapsollë, Partia Socialiste mund të fitojë vetëm duke qenë një parti që punon, duke respektuar kundërshtarin, duke u sjellë me etikë, duke i thënë komunitetit alternativa, duke i bashkuar dhe jo duke i përçarë njerëzit. Forca më e madhe që është investuar në bashki, që është investuar në paqtimin e popullsisë, që është investuar tek puna dhe rezultatet konkrete, është kjo ku jemi sot, familja jonë, Partia Socialiste e Shqipërisë”, deklaroi kreu i Bashkisë së Tiranës.

Kandidatët për kryetarin e Forumit Rinor Euro Socialist të Tiranës prezantuan sot platformat e tyre për zgjedhjet që do të zhvillohen më 8 Dhjetor. Veliaj, vlerësoi angazhimin e të rinjve për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes.

“Ne besojmë te një rini që lulëzon, që shkëlqen, që ecën përpara me talent, me meritë apo të një rini që ecën përpara me loto dhe baste? Apo te një rini që opinionin e vet e thotë me kapsolla në qafë apo në duart e policit? Apo te një rini që beson që sa më i dhunshëm të jesh te formacioni yt politik, aq më të garantuar e ke vendin nesër? Ne socialistët e kemi thënë qartë: Jo, ne nuk besojmë se ka të ardhme me loto dhe baste. Kjo është arsyeja pse shumica jonë dhe kryeministri në krye të kësaj pune, vendosi që nga 1 janari nuk mund të jemi një shoqëri që e vë jetën tonë bast, loto, bingo dhe kazino”, deklaroi Veliaj.

Veliaj kërkoi një mbështetje masive nga qytetarët e Tiranës për PS, si e vetmja mënyrë për të mos ndalur investimet e nisura dhe ofrimin e shërbimeve për ta. “Mezi pres që me ekipin e ri të kemi një fitore spektakolare në Tiranë. Kësaj here nuk na duhet vetëm fitorja, na duhet një fitore absolute, kemi nevojë që të mos e kthejmë Bashkinë e Tiranës në ‘minitepsi’. Këta që sot shkojnë e protestojnë aty s’janë fare nga ajo zonë. Kur i shikoj këshilltarët bashkiakë që i futen bashkisë duke i gjuajtur derës, them: “Po mirë ore, ju e keni aty vendin, kemi tre vjet që ju presim, për çfarë shtyheni? Keni vendin tuaj në Këshillin Bashkiak. Nuk vijnë për të votuar ndihmën ekonomike dhe këtej thonë që janë të shqetësuar për varfërinë. A ka njeri që e beson këtë hipokrizi? Nuk vijnë për të votuar pagesën për aftësinë e kufizuar. Si mund të flasësh për nevojat e këtij vendi dhe të përgjërohesh për varfërinë dhe të mos vish të votosh dhe të jesh pjesë e vendimit për të çliruar varfërinë?”, tha Veliaj, duke shtuar se e vetmja zgjidhje është një këshill bashkiak me shumicë dërrmuese të PS, për të marrë vendime të drejta e të rëndësishme. “Jam i bindur se me garën dhe ekipin që del nga FRESSH-i, me fushatën dinjitoze që Partia Socialiste do të bëjë në Tiranë, nuk ka asnjë arsye në botë që ky qytet mos të na japë më shumë besim për të çuar më përpara punën për transformimin e Tiranës dhe gjithë vendit”, nënvizoi Veliaj.

Kreu i Bashkisë nënvizoi se PS është e vetmja forcë, e cila ka marrë vendime të vështira, por të drejta dhe që kanë rezultuar të suksesshme. Ai solli në vëmendje edhe protestat që janë bërë më parë për Këndin e Lodrave te Liqeni, Pazarin e Ri apo Bulevardin, që pavarësisht pengesave kanë prodhuar një rezultat fantastik. Veliaj tha se edhe në Bulevardin e ri ku u prishën banesa për t’i hapur rrugë zhvillimit të qytetit, banorët që kishin letrat u shpronësuan, ndërsa pjesa tjetër përfitoi nga bonusi i qirasë dhe paketat e tjera sociale./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi