Veliaj përuron këndin e lojërave në Dajt, kritikon opozitën

Ndalesa e radhës për kryebashkiakun e Tiranës ka qenë zona periferike e Dajtit, aty ku është shtrirë edhe projekti i bashkisë “Luaj Tirana”, për ngritjen e këndeve rekreative ku mund të gjejnë çlodhje dhe argëtim për fëmijët.

Pasditen e së shtunës, kryebashkiaku Velija mori pjesë në hapjen e këndit në njësinë e Dajtit, duke falënderuar në mënyrë të veçantë donatorët që bënë të mundur realizimin e projektit, që siç është deklaruar nuk prek vetëm zonat urbane, por edhe fshatrat e kryeqytetit.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se qëllimi është që nën shembullin e këtij bashkëpunimi të vijohet edhe me fshatrat e tjerë të Tiranës, për të krijuar oaze lojërash për fëmijët dhe hapësira çlodhëse për banorët. “Nëse gjejmë cepa të vegjël, njerëz që ofrojnë tokën, bamirës që na ndihmojnë me infrastrukturën, më pas me ndërmarrjet tona mund të bëjmë këtë që po bëjmë këtu në Dajt”, tha ai.

Veliaj u ndal gjithashtu në rastet e fundit të vënies së zjarrit të qëllimshëm në dy çerdhe dhe kazanët e plehrave në kryeqytet, duke theksuar se, pavarësisht qëllimit të autorëve, e rëndësishme është mbrojtja e punëve publike dhe mbështetja për zjarrfikësit.

“Ka edhe nga ata, që shyqyr Zotit janë pakica, të cilët thonë ku të gjejmë arsye për të bërë sherr, ku ta gjejmë një zjarr që ka vënë dikush që të themi poshtë qeveria, poshtë bashkia! Kjo nuk është normale! Qyteti duhet të ecë përpara dhe nëse një vandal i vë zjarrin një çerdheje, një kopshti, një këndi lojërash apo një kazani plehrash, minimumi që duhet të bëjmë është të jemi të gjithë bashkë për të ruajtur pronën publike, për t’u dhënë kurajo zjarrfikësve, që i fikin zjarret në pak sekonda, për t’i dhënë kurajo policisë, e cila duhet të gjejë kush janë këta që terrorizojnë qytetin me zjarr. Unë nuk besoj kurrë se opozita ka dorë, por sigurisht ndihem keq kur opozita bëhet me zjarrvënësit, jo me zjarrfikësit. Kjo është për të ardhur keq”, theksoi Veliaj.

Duke qenë i vetëdijshëm se, me afrimin e fushatës së zgjedhjeve të ardhshme vendore lufta politike do të ashpërsohet, kryebashkiaku kërkoi prej opozitës që të mos bëjë politikë me fëmijët dhe me njerëzit që punojnë çdo ditë për të ndryshuar qytetin.

“Ata që nuk ndërtuan asnjë çerdhe, asnjë kopsht, asnjë shkollë të re, 4 vite që kishin Tiranën nuk ngulën një gozhdë, sigurisht që do të përdorin çdo mjet, por mund të bëhen aleatë me ata që duan një kryetar tjetër, mund të bëhen aleatë me ata që kanë bindje të tjera, por nuk mund të bëhen aleatë me ata që i vënë zjarrin Tiranës, se kjo i diskrediton dhe është për turp. Dua të siguroj të gjithë ata që kanë fëmijët e tyre në çerdhet, kopshtet dhe shkollat e Tiranës se sot, falë shumë prej donatorëve, çerdhet e kopshtet e Tiranës janë model. Pra, unë nuk e di kush janë arsyet e rrugaçëve që vënë zjarr në punët publike të Tiranës, megjithatë mos e dhëntë Zoti kurrë që të mendoj se këtu ka dorë opozita, se në fund të fundit, janë me pushime në Holandë, se kur s’bënë 4 vite shkolla, kopshte, çerdhe, nuk do t’i prishin pushimet për të bërë këto punë”, tha ai./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi