Veliaj në Laprakë: 30 qershor ditë feste, fundi i disa politikanëve

Nga një segment ku mbizotëronin balta dhe ujërat e zeza, sot rruga “Egnatia” në Njësinë 11 dhe lagjja përreth, është transformuar plotësisht. Njësia 11 ishte ndalesa e radhës e kandidatit socialist të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” për Bashkinë e Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndërsa inspektoi punimet e kryera në një zonë të harruar prej vitesh, bisedoi me banorët mbi projektet e kryera në mandatin e pare, si dhe për investimet që do të vijojnë të realizohen në 4 vitet e ardhshme në gjithë Tiranën.

Kryebashkiaku Veliaj u shpreh i kënaqur që vinte në këtë lagje me një tjetër premtim të mbajtur. “Ju kujtohet që ju dhamë fjalën, tani vijmë me thënë se e mbajtëm fjalën. Rruga do vetëm pak mirëmbajtje. Nëse amortizohet ndonjë gjë, njësia duhet të na njoftojë direkt, qoftë për një pusetë që thyhet apo një shtyllë, sepse duke e mirëmbajtur, ka jetëgjatësi”, tha Veliaj.

Ai theksoi se investimi i kryer ka sjellë jo vetëm një infrastrukturë më të mirë, por edhe ka rritur vlerën e pronës për gjithë banorët. “Atyre u ka ra ‘bixha’! Kur i takon në inspektimin e parë thonë: ‘ç’është ky muhabet, po na prishet avllia’. Kur i takon herën e dytë thonë: ma kanë kërkuar me 35-40% më shtrenjtë shtëpinë. Praktikisht, iu ka rënë lotaria buzë rrugës, në një super rrugë të Tiranës, afër autostradës, gjithë shërbimet afër, spitali po ashtu, e pastaj thonë: më fal, që të kemi fol”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku i Tiranës shtoi se pas shtresave asfaltike dhe trotuareve, do të vendoset edhe sinjalistika e duhur, për të orientuar qarkullimin e makinave dhe për të krijuar një vend të sigurt për qytetarët. “Kur nuk kishte rrugë, ishte pis, po nuk ecte njeri me shpejtësi se kishte hallin e makinës. Kështu që, do bëjmë sinjalistikën dhe kemi projektuar që në disa vende do ketë patjetër kufizim shpejtësie, po patjetër edhe ‘policë’ të shtrirë. Po në thelb është edhe pak çështje kulture”, tha Veliaj.

Banorët e lagjes u shprehën të kënaqur me punimet e kryera dhe investimin e bërë përgjatë rrugës, ndërsa vlerësuan se ndërhyrjet e bëra edhe në lagje të tjera kanë sjellë një tjetër pamje, për një nga njësitë që më parë ishte lënë tërësisht jashtë vëmendjes.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

“Na kënaqët me këto zbukurimet, punimet që janë bërë, o zot, jetë e shëndet paçi! Keni folur, keni mbajtur fjalën për çdo gjë. Kush s’i ka parë, le t’i mbajë për vete. Sa herë të shohim, na ke kënaq, dritë e keni bërë këtë vend”, tha një prej banoreve të zonës. “Faleminderit shumë prej jush! Ju lumshin krahët, se për Zotin na keni nderuar me këto punë, me kanalet, me projektet, me çdo gjë. Bravo ju qoftë”, tha një tjetër banor.

Ata vunë në dukje faktin se kjo ishte hera e parë që në këtë lagje bëhet një investim i tillë. “Shumë shumë faleminderit, jemi shumë të kënaqur! Sidomos, këtë radhë njëherë, se unë kam që në ’92 këtu, ka qenë rrugë me baltë, as karrocat nuk kalonin dot, aq keq kemi qenë. Ju falenderojmë shumë ju si Kryetar Bashkie”, u shpreh një tjetër banore, e cila përfiton direkt nga ky projekt që ka transformuar gjithë lagjen që shtrihet në të dyja krahët e rrugës “Egnatia”.

Nga ana tjetër, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës do punojë me të njëjtin ritëm si 4 vitet e mandatit të parë, edhe në datën 1 korrik, pas zgjedhjeve. “Ka pasur 4 muaj rresht shi, s’ka qenë 3 ditë toka e thatë. Por, tani që toka u tha, ne kemi filluar nga puna, kështu që do na shihni edhe në datë 1 korrik, do jemi duke punuar, edhe në 2, edhe në 3, edhe në 4, 5, e kështu me radhë”, tha Veliaj.

Më tej, ai theksoi se 30 qershori do jetë një ditë ku qytetarët shqiptarë duhet të mendojnë për të ardhmen e fëmijëve të tyre, për mjedisin që i rrethon që të jetë më i pastër, për shkollën dhe rrugën e re. “Data 30 qershor për ne është festë, nuk i bëjmë gjërat se kemi inat ata, por i bëjmë gjërat se duam familjen tonë, duam qytetin tonë, duam Laprakën, duam Don Boskon, duam njësinë 3, duam Bregun e Lumit, për sa kohë që njerëzit janë të qartë për këtë, as nuk duhet kacafyt fare. Kjo është për asfalt, kjo është për pastrim, kjo është për ndriçim, kjo për kënde lodrash, kjo për shkollë”, u shpreh Veliaj.

Ndaj, kandidati socialist për Bashkinë e Tiranës, shtoi se është shumë e rëndësishme që qytetarët të kuptojnë se në 30 qershor nuk duhet të mendojnë për fatin e një grushti politikanësh, por për të ardhmen 30 viteve që vijnë. “Takova një aty pak më parë që tha: ‘jam çam, s’kam votuar asnjëherë, por e di çfarë, ti e mbajte llafin. Ata ikën nga koalicioni, por ti vazhdove dhe e bëre sheshin’. Për sa kohë që zgjedhjet do bëhen dhe për sa kohë që tani të gjitha figurat e tranzicionit i kemi përballë, pra ata tre-katër vetë që përfaqësojnë të gjitha të këqijat që ky vend ka kaluar për 30 vjet, kemi një mundësi t’u themi: ‘Bella ciao’, hajt shko në shtëpi, ne do të vazhdojmë përpara sepse s’mund të na mbash peng. Ata i kanë rregulluar kalamajtë e tyre, të rregullojmë edhe ne familjet e këtij qyteti”, theksoi Veliaj.

Kryetarja e PS për Tiranës, Blerina Gjylameti theksoi se data 30 qershor është e rëndësishme, jo për punë konkrete në infrastrukturë, por dhe për atë që çfarë është Shqipëria në vazhdimësi. “Njerëzit duhet të kuptojnë se në datën 30 nuk është çështja për t’i dhënë mundësi Erionit dhe ekipit për të vijuar punët e mira. Në fund të ditës, 30 qershori nuk është më çështje vetëm për punë konkrete në infrastrukturë, është për çfarë do të jetë Shqipëria në vazhdimësi. 30 qershori përcakton a do jemi për modelin e shkatërrimit dhe të interesave të ngushta, apo për atë të interesave të gjëra, që janë interesat për njerëzit”, tha Gjylameti.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi