Veliaj nderon Betim Muçon me bust në shkollën që mban emrin e tij

Shkrimtari, poeti, përkthyesi dhe fizikani Betim Muço është përkujtuar nga familjarë, të afërm, por edhe stafi pedagogjik dhe nxënësit e shkollës që mban emrin e tij në Njësinë 6 në Tiranë.

Shkolla e re në Kombinat, përveç emrit të Betim Muços do të mbajë në ambientet e saj edhe bustin e tij, si një shenjë mirënjohjeje për gjithçka bëri në fushën e shkencës, por edhe si shkrimtar e përkthyes.

Në ceremoninë e vendosjes së bustit mori pjesë edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili vlerësoi figurën e Betim Muços dhe kontributin e tij me vlerë për shoqërinë shqiptare.

“Nëqoftëse ka një arsye, përse këtë të sotmen nuk e konsideroj një ditë pikëllimi, por një ditë gëzimi për veprën e Betimit, është se me sa duket ai e gjeti këtë përgjigje. Fakti që sot kishim dy zonja, zonjusha të nderuara, mësuese që i lexonin jetëshkrimin respektivisht për arritjet në fizikë, sizmologji, shkencë apo në letërsi, në shkrime, do të thotë që ai arriti ta kthente këtë përgjigje. Përgjigjja ishte ‘lër një vepër për të cilën ia vlen të kujtohesh, për të cilën ia vlen të emërtohet një institucion, ia vlen të përpiqet një skulptor’. Ndoshta ky është çelësi i pavdekësisë, sepse, edhe kur të mos jem unë kryetar bashkie, Betimi do të jetë këtu. Edhe kur të merremi me punë të tjera, ndoshta të largohemi nga kjo jetë, Betimi do të jetë këtu dhe ndoshta do të jetojë më gjatë sesa disa nga ne, sepse la një vepër që e bëri të pavdekshëm”, tha Veliaj.

Sipas kryebashkiakut, edhe kjo ceremoni mund të shërbejë më shumë si një moment reflektimi për gjurmët që lëmë në jetë. Për këtë, – shtoi Veliaj, – nuk duhet patjetër të jesh kryetar bashkie apo njeri me pushtet.

“Njerëz që janë të pavdekshëm, për mua janë mësuesit e mi. Unë e mbaj mend si tani Polikseni Ndrenikën, e mbaj mend si tani Leonorën te shkolla “Kosova”, pra dikush që lë shenjë nuk ka nevojë të jetë emër i madh dhe të votohet nga një milion njerëz. Mund ta lerë këtë shenjë në njerëz të caktuar, për atë segment të jetës ku kanë dhënë një pjesë të jetës së tyre. Jam i bindur që nëse ne arritëm që në një vit shkolla të ketë tashmë 1.000 nxënës, do të thotë që ky është një shans fantastik të lëmë gjurmë e të jemi të pavdekshëm për të paktën 1.000 nxënës të këtij komuniteti, që ku i dihet si u merr jeta nesër. Një frymëzim, një dorë e ngrohtë nga një prej mësuesve, një ndihmë në një moment të vështirë mund të jetë ndryshues, mund të transformojë komplet rrugëtimin e jetës së dikujt tjetër”, u shpreh më tej kryebashkiaku i Tiranës.

Bashkëshortja e Betim Muços, ndërsa falënderoi kreun e Bashkisë së Tiranës për vëmendjen që i ka kushtuar vlerësimit të figurës së Betim Muços, vlerësoi edhe punët e mira që janë bërë për ndryshimin e Tiranës./Top Channel/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi