Veliaj mbron memorialin turk te Kodrat e Liqenit: asnjë hata, Tirana ka vend për të gjithë

Kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj ka komentuar për herë të parë ngritjen e një memoriali te Kodrat e Liqenit në kujtim të viktimave të grusht-shtetit të dështuar në Turqi, 15-16 korrikun e 2016-ës.

I përballur me një reagim të zhurmshëm nga zëra të ndryshëm të jetës publike, por aspak nga opozita, e cila kishte përfaqësuesin e saj në ceremoni – Kreshnik Çollakun – Veliaj dha këtë arsyetim:

“Në atë territor ka mbi 50 pika, ku janë kujtuar raste të ndryshme, dhe secili ka mundësi të respektohet. Unë do të thosha t’i lëmë të vdekurit të qetë dhe kush do që t’i respektojë me një qiri, me një lule apo me një lutje, t’i lëmë gjithashtu të qetë. Tirana zemërmadhe ka vend për të gjithë. Ndaj, për të gjithë ata që vapa e gushtit i kapi në ngut për fletërrufe, s’ka ndodhur asnjë hata, le më tradhti apo ndonjë shkelje e kësaj natyre. Pushime të mbara të gjithëve dhe gëzuar festën”, tha Veliaj.

Ngritja e memorialit nuk u parapri nga ndonjë debat publik, por qe një veprim i beftë, ku u shfaq në ceremoni dhe një unitet qëndrimi mes pushtetit (Bashkisë së Tiranës) dhe opozitës. /tesheshi.com/   

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi