Vazhdojnë sulmet e regjimit të Asadit dhe Rusisë në Idlib

Në sulmin e kryer nga regjimi i Bashar al-Asadit ndaj vendbanimeve brenda zonës për uljen e tensioneve në Idlib të Sirisë humbën jetën 5 civilë ndërsa 27 të tjerë janë plagosur.

Ndërkohë Rusia, mbështetësja e regjimit, ka vendosur në objektiv një ambulancë dhe qendrën e Mbrojtjes Civile (Beretat e Bardha).

Regjimi i Asadit dhe avionët luftarakë të Rusisë, që nga orët e mëngjesit po ndërmarrin sulme ajrore në rajonet Xhisir esh Sugur, Han Shejhun dhe në fshatin Kefir të cilët ndodhen brenda rajonit për uljen e tensioneve në Idlib.

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Mbrojtjes Civile në sulmet e regjimit të Asadit kanë humbur jetën 5 civilë.

Observatori vëzhgues i opozitarëve për avionët ka deklaruar se në sulmet që kanë kryer avionët rusë, janë goditur një ambulancë dhe Qendra e Mbrojtjes Civile në rajonin Han Shejhun. Derisa qendra ka mbetetur jashtë shërbimit, ende nuk ka asnjë informacion në lidhje me të vdekurit dhe të plagosurit në sulm.

– Situata në Idlib

Në mars të vitit 2015, opozita vendosi kontroll mbi Idlibin, popullata e të cilit është rritur në 4 milionë për shkak të migrimeve të fundit në atë zonë. Në të njëjtën kohë, Idlibi është një nga zonat që më së shpeshti sulmohet nga forcat e regjimit.

Opozitarët ushtarakë, garantues i të cilëve është Turqia në kuadër të marrëveshjes historike të arritur më 4-5 maj 2017 në Astana në të cilën Idlibi dhe rrethina u shpallën zonë e de-eskalimit, më 17 shtator të vitit 2018 tërhoqën armët e tyre të rënda si rezultat i një marrëveshjeje tjetër midis Turqisë dhe Rusisë në Soçi.

Megjithatë, forcat e regjimit vazhdojnë pa ndërprerë sulmet e tyre pavarësisht marrëveshjes së Soçit mes Turqisë dhe Rusisë, e cila kishte për qëllim të forcojë armëpushimin në Idlib. Në kuadër të Marrëveshjes së Astanas, Rusia është vendi garantues i regjimit të Asadit.

Sulmet e fundit të regjimit dhe mbështetësve të tij u intensifikuan derisa më 25-26 prill, në kryeqytetin e Kazakistanit, Nursultan, po mbahej takimi i 12-të midis Turqisë, Rusisë dhe Iranit.

Rrjeti Sirian për të Drejtat e Njeriut (SNHR) njoftoi se në periudhën 26 prill-23 qershor në sulmet e kryera në zonën e deeskalimit të Idlibit, kanë humbur jetën 487 civilë, ndërsa 1.495 janë plagosur.

Që nga nënshkrimi i marrëveshjes midis Rusisë dhe Turqisë më 17 shtator 2018, mbi 553 mijë civilë janë zhvendosur si pasojë e bombardimeve të kryera nga regjimi i Asadit dhe mbështetësit e tij të cilët kanë shkelur armëpushimin.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi