UNESCO ndan çmim për reporterin e burgosur egjiptian Shawkan

Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (UNESCO) këtë vit çmimin për lirinë e gazetarisë në botë “Guillermo Cano World Press Freedom Prize 2018” ia dha fotoreporterit egjiptian Mahmoud Abu Zeid.

Mahmoud Abu Zeid, i njohur gjithashtu si Shawkan, u arrestua në Kajro në vitin 2013 gjatë raportimit mbi trazirat që ndodhën pasi forcat egjiptiane rrëzuan nga pushteti presidentin Mohamed Morsi dhe me forcë shtypën protestat.

“Me ndarjen e çmimit nderojmë guximin, rezistencën dhe angazhimin për luftën për lirinë e shtypit, të cilën e tregoi Mahmoud Abu Zeid”, ka thënë Maria Reese, kryetare e jurisë për ndarjen e çmimeve.

Shawkan për katër vite ndodhet në burgjet egjiptiane dhe sot si një 31-vjeçar rrezikohet nga dënimi me vdekje.

Autoritetet kompetente të Kombeve të Bashkuara në fillim kanë dënuar arrestimin e Shawkan-it duke e vlerësuar si një shkelje të rëndë të të drejtave dhe lirive të garantuara me Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut dhe Konventën Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike.

Çmimi i ndarë për Shawkan do të promovohet më 2 maj, kur edhe shënohet Dita Botërore e Lirisë së Shtypit.

Çmimi i UNESCO-s mban emrin e gazetarit kolumbian Guillermo Cana Isaza, i cili u vra para redaksisë në Bogota në vitin 1986./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi