• Home
  • BOTA
  • Tusk: Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së
BOTA

Tusk: Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së

Spread the love

Presidenti i Këshillit Europian, Donald Tusk, gjatë një konference për mediat me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, në Bruksel, tha se Shqipëria mbetet një partner i mirë dhe një vend mik i Bashkimit Europian (BE) në lidhje me sigurinë e migracionin, si dhe që Shqipëria do të bëhet anëtare e BE-së.

Rama gjatë vizitës në Bruksel, është takuar me Tusk dhe komisionerin e BE-së për Politikat e Fqinjësisë Europiane dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn.

“Kanë kaluar vetëm pak javë, që kur Këshilli vendosi të përcaktojë rrugën drejt hapjes së negociatave me Shqipërinë, në qershor 2019 dhe Komisioni ka nisur që tani punën përgatitore. Ky është një vendim që ka qenë unanimisht i miratuar nga të gjithë krerët dhe qeveritë e BE-së. Ky progres nuk do të kishte qenë i mundur pa progresin e qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm në rrugën e reformave që ka bërë vendi juaj”, tha Tusk.

Sipas tij, nëse Shqipëria do të vazhdojë me këtë tempo reformash, do të jetë në gjendje që të përmbushë të gjitha rezultatet e kërkuara deri në qershorin e ardhshëm, sepse siç tha ai, “Vendi i Shqipërisë është në BE dhe Shqipëria do të bëhet një anëtare e BE-së. Rreth kësaj, nuk ka dyshime”.

Kryeministri Rama gjatë konferencës me Tusk, tha se Shqipëria është shumë e angazhuar ndaj rrugës evropiane të vendit.

“Është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria ka një datë për të hapur negociatat formalisht dhe ka dhe dritën jeshile për të filluar menjëherë punën përgatitore që zakonisht është ajo që ndodh pas hapjes së negociatave. Kjo ka qenë vërtetë një zgjidhje shumë e mirë. Jemi përsëri shumë të angazhuar ndaj rrugës evropiane, shumë të angazhuar ndaj zgjidhjes së problemeve të vjetra me fqinjët e jugut”, tha Rama.

Ndërsa Hahn gjatë konferencës me kryeministrin Rama theksoi se përfundimet e qershorit të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme, përbëjnë një hap të madh përpara në procesin e integrimit europian të Shqipërisë.

“Tashmë kemi një rrugë të qartë që të drejton në hapjen e negociatave të integrimit midis BE-së dhe Shqipërisë në qershor të vitit 2019. Ndërkohë, procesi i reformave duhet të vijojë me një ritëm të shpejtë, ashtu siç ka ndodhur deri më tani. Mendoj që është e rëndësishme të nënvizoj se jemi tanimë në fillim të një pune të rëndësishme dhe do të jem në Tiranë të enjten e ardhshme për të nisur punën përgatitore për këtë”, tha Hahn.

Rama gjithashtu ishte i pranishëm edhe në samitin dyditor të NATO-s të mbajtur në Bruksel./Rtv Drita/

Related posts

Dorëhiqet ambasadori amerikan në Panama: Nuk mund t’i shërbej Trumpit

dritatv

Pentagoni: Nuk synojmë ndryshimin e ekuilibrit strategjik të Sirisë

dritatv

Gjykata izraelite refuzon lirimin me kusht për adoleshenten palestineze

dritatv

Leave a Comment