“Turqit nuk ndjejnë aq keqardhje që u larguan nga Ballkani, sa ndjejmë ne vllehët”

Vllehët që jetojnë në rajone të ndryshme të Ballkanit dhe Evropës Lindore, e para së gjithash në Maqedoninë e Veriut, shprehin falënderime për shkak se sulltani osman Abdulhamidi i Dytë më datë 22 maj 1905 i njohu vllehët si kombësi (milet) e veçantë.

Vllehët që u latinizuan me ardhjen e Perandorisë Romake në Ballkan, edhe sot e kësaj dite përpiqen të ruajnë traditat dhe kulturën e tyre.

Mes tjerash, vllehët nga Maqedonia e Veriut thonë se njohja e tyre si kombësi e veçantë nga ana e Shtetit Osman u ka mundësuar një përparësi të madhe në vitet në vijim. Më 23 maj, ata çdo vit shënojnë Ditën Kombëtare të Vllehëve.

Kryetari i Unionit për Kulturë të Vllehëve në Maqedoninë e Veriut, Dimo Dimçev, në një intervistë për Anadolu Agency (AA) foli në lidhje me traditat e vllehëve, njohjen e vllehëve si kombësi e veçantë nga ana e Sulltan Abdulhamidit të Dytë, si dhe për gjendjen e përgjithshme të vllehëve.

Dimçev tha se është lindur në fshatin Dobroshani të rrethinës së Shtipit, ku ai tha se është rritur me fqinjë turq. Ai theksoi se në atë periudhë, krahas gjuhës vllehe, gjuha turke ka qenë gjuha e dytë e tij amtare, por, siç vuri në dukje, me kalimin e kohës ka harruar gjuhën turke.

Duke theksuar se pas Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1958-1959, turqit nga fshatrat e tyre kanë emigruar në Turqi, Dimçev foli disa fjalë në gjuhën turke, duke shprehur keqardhje që e ka harruar këtë gjuhë.

Dimçev me lot në sy i kujtonte miqtë e tij, Fatime, Rukishe, Ali dhe Mehmedali. Ai shprehu dëshirë që t’i shohë sërish miqtë e tij nëse janë akoma gjallë.

Dimçev informoi se ata si union që është themeluar në vitin 1997, realizojnë disa aktivitete në drejtim të ruajtjes së kulturës dhe gjuhës vllehe, teksa kanë shtypur edhe revista, libra dhe fjalor përmes këtij unioni.

Duke bërë të ditur se e ka përkthyer edhe Biblën në gjuhën vllehe, si dhe veprën e poetit të njohur të literaturës iraniane, Firdeusi, të titulluar “Shahname”, Dimçev shtoi se ka dhënë kontribut të madh për hapjen e redaksisë së emisioneve në gjuhën vllehe pranë Radio-Televizionit të Maqedonisë (RTVM), për ku tha se ka punuar një kohë të caktuar si redaktor.

– Vllehët në periudhën e Abdulhamidit u barazuan me kombet e tjera

Siç tregon Dimçev, më datë 22 maj 1905, Sulltan Abdulhamidi i Dytë ka nënshkruar dekretin më të madh në atë periudhë, Urdhrin Perandorak (Irade), me të cilin vllehët u njohën si kombësi e veçantë.

Dimçev theksoi se në atë periudhë, vllehët në letër ishin barazuar me sirianët, egjiptianët dhe grekët.

“Megjithatë, mbretëria turke (Shteti Osman) u tregua shumë e mençur. Këshilltarët e Abdulhamidit u treguan shumë të mençur dhe e këshilluan sulltanin që ne të regjistrohemi si ‘Ullah’, e jo si ‘Romançe’, siç kërkonte propaganda rumune të na shfaqë dhe të na përvetësojë”, shtoi ai.

Pas nënshkrimit të urdhrit perandorak, thotë Dimçev, “Dita e Vllehëve” për herë të parë është shënuar më 23 maj të vitit 1906 në Manastir. Ai theksoi se kjo ditë, që ka domethënie të veçantë për ta, në vitet në vijim duhet të ndërkombëtarizohet.

Dimçev theksoi se sipas të dhënave të regjistrimit të fundit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut, në vend jetojnë rreth 9.000 vllehë, ndërsa sipas tij, është e mundur që në botë të ketë rreth katër milionë, para së gjithash në Greqi, Shqipëri dhe Rumani.

Sipas tij, urdhri perandorak i Abdulhamidit të Dytë ka qenë një nxitje e madhe për vllehët që të ndihen krenarë dhe ata kanë ndier se kanë identitet të tyrin.

“Atëherë ishim të pranuar, edhe sot duhet të jemi të pranuar. Ne gjatë periudhës së mbretërisë turke kishim arsim të cilin sot nuk mund ta imagjinojmë”, tha ai.

– “Besoj se turqit nuk ndjejnë aq keqardhje që u larguan nga Ballkani, sa ndjejmë keqardhje ne vllehët”

Dimçev iu referuar pikave që ndërlidheshin me vllehët në Traktatin e Sevres, të nënshkruar mes Shtetit Osman dhe aleatëve pas Luftës së Parë Botërore, duke i bërë apel Turqisë që sot përmes ekspertëve të saj të ndihmojë që vllehët të kuptojnë se çka janë këto të drejta.

Dimçev kërkoi që Turqia të mos i harrojë vllehët dhe shpërndau një hulumtim të bërë pas largimit të turqve nga Ballkani.

“Kam lexuar në një vend se në vitin 1922, dhjetë vjet pas largimit të mbretërisë turke nga Ballkani, një gazetar italian kishte kryer hulumtime në Ballkan. Has në një vlleh dhe e pyet ‘si jeni’. Ai tha: Besoj se turqit nuk ndjejnë aq keqardhje që u larguan nga Ballkani, sa ndjejmë keqardhje ne vllehët dhe duhet të na vijë keq pasi turqit u larguan. Pse? Pasi ata turq na dhanë më shumë të drejta sesa këta të krishterë ortodoksë”, theksoi Dimçev.

Ai tha se aktivitetet e tyre i realizojnë me qëllim të ruajtjes së gjuhës vllehe dhe të mos harrohen vllehët, dhe se çdo vit zvogëlohet mbështetja që e fitojnë.

Siç tregon ai, vllehët që kanë emigruar në Turqi jetojnë në territorin e qytetit Şarköy që ndodhet në provincën turke Tekirdağ, ndërkohë që u bëri ftesë bashkëkombësve të tij që ndodhen në Turqi t’i vizitojnë në Maqedoninë e Veriut.

– Dashuria e vllehëve ndaj Abdulhamidit

Vllehët përgjatë historisë nuk e kanë harruar Sulltan Abdulhamidit e Dytë, i cili i ka njohur si kombësi e veçantë.

Poeti kombëtar i vllehëve, Konstantin Belemaçe, i lindur në atë periudhë në fshatin Mallovishte të rrethinës së Manastirit, ka shkruar himnin kushtuar Sulltan Abdulhamidit të Dytë („Imnul a Sultanlui Abdul Hamid II“).

Himni për herë të parë u publikua në vitin 1905 në revistën “Lumina” në Manastir, pas publikimit të urdhrit perandorak të sulltanit, dhe në të Belemaçe i thur lavde Sulltan Abdulhamidit dhe lutet për të. Përmes himnit, ai gjithashtu i dëshiron jetë të gjatë sulltanit dhe i lutet Zotit që ta ruajë Shtetin Osman.

– Vllehët në Maqedoninë e Veriut dhe në Shqipëri

Sipas regjistrimit të fundit të popullatës së Maqedonisë së Veriut të realizuar në vitin 2002, numri i vllehëve në vend është rreth 9.000 banorë. Në kushtetutën e vendit, vllehët përmenden si shtet-formues. Ata janë të përfaqësuar në më shumë sfera, si në arsim, art, media dhe në shoqërinë civile.

Në kuadër të RTVM-së, tri herë në javë nga 30 minuta realizohen emetime në gjuhën vllehe në televizion, ndërsa në radio emetohet çdo ditë 30 minuta program.

Vllehët në Shqipëri, gjithashtu janë të pranuar me ligj.

Sipas të dhënave të vitit 2011 nga Institutit i Statistikave të Shqipërisë (INSTAT), vllehët në Shqipëri përbëjnë 0,3 për qind nga gjithsej 2,8 milionë banorë sa ka vendi, respektivisht numri i vllehëve që jetojnë në Shqipëri është 8.266.

Sipas Komitetit Shtetëror të Minoriteteve të Republikës së Shqipërisë, vllehët e Shqipërisë janë pjesë përbërëse e popullit dhe e shtetit shqiptar. Sipas këtij institucioni, censusi i vitit 2011 nuk mund të konsiderohet i saktë për vllehët për arsye të emigrimit të tyre në Greqi dhe vende të tjera.

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi