Turqia planifikon rigjallërimin e ishullit Suakin në Sudan

Turqia dëshiron të rigjallërojë ishullin Suakin në Sudan ashtu siç ka qenë gjatë historisë dhe ta bëjë atë qendër turizmi, tha Ambasadori i Turqisë në Kartum, İrfan Neziroglu.

Ishulli Suakin u vizitua nga presidenti turk Recep Tayyip Erdogan gjatë vizitës së tij në Sudan në dhjetor të vitit 2017, ndërsa pas vizitës tha se ndihet i pikëlluar nga gjendja e ishullit, duke shtuar se fajtor për këtë është Perëndimi.

Erdogan theksoi se ka kërkuar nga presidenti sudanez Omar al-Bashir leje për të kryer restaurime në ishullin Suakin, ndërkohë që ky i fundit i është përgjigjur pozitivisht.

TIKA ka përfunduar restaurimin e xhamive Hanefi dhe Shafi dhe kompleksin e tyre në këtë ishull. Ishulli Suakin, qytet port në brigjet e Detit të Kuq në verilindje të Sudanit, dikur ishte pjesë e territoreve osmane.

Për shkak të daljes në Detin e Kuq, ajo llogaritet nga vendasit si Porta e Afrikës. Dikur, ishulli priste karvanët që shkonin për të kryer haxhin në tokat e shenjta. Aktualisht, në të jetojnë mbi 40 mijë sudanezë.

Duke folur për vizitën treditore në Sudan të presidentit Erdoğan, Neziroglu e theksoi dashurinë e veçantë të popullit të Sudanit për presidentin Erdoğan.

“Presidenti, në këmbim të kësaj dashurie, ndau tri ditë për Sudanin. Kishte shumë takime në dy qytete të ndryshme. Sytë e botës, në ato tri ditë, u kthyen kah Sudani”, tha ai.

Ai poashtu tha se qëllimi i presidentit Erdogan për të rritur vëllimin e tregtisë në dy miliardë dollarë duhet realizuar sa më parë të jetë e mundur.

Neziroğlu theksoi se në Sudan mund të bëhen investime në shumë fusha, duke filluar nga bujqësia dhe blegtoria, dhe se pas vizitës së presidentit Erdoğan, është shtuar interesimi i biznesmenëve për Sudanin.

Ndërkohë, Neziroglu tha se shpreson që ishullit Suakin t’i kthehet gjallëria që ka pasur në histori.

“Duam që të rigjallërojmë ishullin Suakin ashtu si ka qenë në histori. Qëllimi ynë është të përfundojmë restaurimin e ishullit dhe ta shndërrojmë në qendër turistike”, theksoi ambasadori turk.

Neziroglu gjithashtu u shpreh se është takuar me disa ndërmarrje turistike në Turqi dhe se u ka propozuar Sudanin si rrugë alternative për shkuarje në vendet e shenjta.

“Bashkëqytetarët tanë do të vijnë nga Stambolli në Kartum. Do njihen prej së afërmi me historinë tonë këtu. Pas qëndrimit të përkohshëm në kryeqytetin e Sudanit, do të kalohet edhe në ishullin Suakin. Më pas, duke shkuar në Arabinë Saudite nëpërmjet rrugëve detare, do t’i përmbushin obligimet fetare dhe do të kthehen në vend”, paralajmëroi Neziroglu./Rtv Drita/

- ISLAMSHOP.CH -spot_img

LEXO MË SHUMË

Së fundi